Arbëri

Veliu: Nuk ka përçarje të koalicionit LAA

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, në një deklaratë të shkurtë për portalin Koha.net, nuk ka dashur të komentojë rreth ultimatumit që AKR-ja ia ka dhënë partisë së tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, në një intervistë për televizionin publik, i ka dhënë afat prej 10 ditësh LDK-së dhe VV-së që të lidhin koalicion në rast se PAN-i dështon të formojë Qeverinë.

Veliu ka thënë se kjo nuk është ndonjë gjendje e jashtëzakonshme që të mblidhet LDK-ja dhe të komentojë deklaratat e Pacollit.

“Ai ka folur sot gjatë mbrëmjes dhe LDK-ja nuk është në asnjë gjendje të jashtëzakonshme që të mblidhet dhe të bisedojë rreth deklaratave të tij. Ende nuk ka ndonjë qëndrim të LDK-së”, ka thënë Veliu, i cili për portalin Koha.net, ka paralajmëruar se nesër [e enjte] mund të ketë një mbledhje të LDK-së lidhur me zhvillimet e fundit.

“Nesër do të mblidhemi, nëse kështu vlerëson kryetari [Isa Mustafa]”, ka shtuar Veliu.

I pyetur nëse ka përçarje të koalicionit LDK-AKR-Alternativa, Veliu ka qenë i shkurtë në përgjigje.

“Jo, jo, deri më tash jo”, ka thënë shkurt Veliu.