Arbëri

Molliqaj thërret protestë më 25 mars: Nga tash emri i kryeministrit është Albin Zajednica

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thirrur protestë më 25 mars kundër dakordimit të Kosovës dhe Serbisë për planin e zbatimit të marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhnieve midis dy vendeve.

Në një konferencë të mbajtur të dielën, Molliqaj ka thënë se përmes këtij plani të zbatimit për Kosovën ka vetëm obligime, ndërsa Serbia ka marrë karotën që e ka dashur, atë që sipas tij quhet Asociacion.

Sipas Molliqajt, ndryshe prej asaj që ka thënë pas takimit në Ohër të shtunën kryeministri Albin Kurti, dialogu në qendër të tij nuk e ka njohjen de facto, por Asociacionin, kundër të cilit edhe po thirret protesta.

“Besojmë që protesta është mjeti i vetëm duke pasur parasysh që opozitë nuk ka në Kosovë.

Në ditën më të jashtëzakonshme asnjë gjë nuk kanë thënë, prandaj besoj që demokracia është në rrezik. Ne kemi vendosur që të kërkojmë dorëheqjen e Qeverisë së Kosovës, nuk ka kuptim në këto rrethana të mos japin llogari. 75 për qind të respondentëve në Kosovë janë kundër themelimit të Asociacionit. Përveç se legjitime dhe e drejtë, protesta është e domosdoshme dhe e vetmja. Nga tash, emri dhe mbiemri i kryeministrit është Albin Zajdenica për PSD-në dhe për qytetarët që janë kundër”, ka thënë ai.

Molliqaj ka shtuar se është mashtrim publik çështja e nënshkrimit të marrëveshjes, teksa ka thënë se thelbi i kësaj marrëveshjeje është i rrezikshëm.

“Është mashtrim publik çështja e nënshkrimit ose jo, siç edhe e dini, ndërmjetësuesi nuk ka planifikuar nënshkrim. Marrëveshja vlen si e nënshkruar, si e panënshkruar për Serbinë dhe Kosovën. Ajo që është e rrezikshme dhe shqetësuese për ne, thelbi i marrëveshjes është Asociacion plus, kemi kaluar nga Ahtisaari plus në Asociacion plus. Asociacioni sipas pikës së 5 do të bëhet në përputhje të plotë me marrëveshjet përkatëse. Për herë të parë Kosova e degradon pozicionin edhe më keq se më herët. Negocimi do të vazhdojë për plusin, për Asociacionin sipas 2013 dhe 2015 tashmë e kemi dakordimin e ri të kryeministrit aktual të Kosovës. Negocimet do të vazhdojnë për shtesat që do t’i marrë organizimi i ri territorial, etnik dhe institucional në Kosovë”, ka theksuar ai.