Arbëri

SHBA-ja zotohet për përfitime për Kosovën e Serbinë nëse nënshkruajnë marrëveshje

Descriptive Text

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se implementimi i propozimit evropian për normalizim raportesh midis Kosovës dhe Serbisë do të sillte përfitime të konsiderueshme për të dyja shtetet.

Në dy postime në Twitter të premten në mbrëmje, Chollet ka treguar se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para takimit të së shtunës në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Kam folur me kryeministrin Albin Kurti për bisedimet e nesërme për normalizim raportesh me Serbinë, nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Implementimi do të zhbllokojë beneficione për të dyja shtetet dhe do të tregonte përkushtim për të ardhme paqësore për rajonin”, ka thënë ai për bisedën me Kurtin.

“Bisedë e mirë me presidentin Aleksandar Vuçiq. Ramë dakord për rëndësinë e angazhimit konstruktiv në propozimin e BE-së më 18 mars. Rikonfirmova mbështetjen e SHBA-së për dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe përfitimet që normalizimi i raporteve i sjell Serbisë dhe tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai për bisedën me Vuçiqin.

Kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë do të takohen të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të diskutuar për planin e zbatimit të propozimit evropian, për përmbajtjen e të cilit u pajtuan më 27 shkurt.