Arbëri

Borrelli bisedon me Blinkenin: Koha e duhur që Kosova e Serbia të bëjnë hapa përpara

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kanë thënë është “koha e duhur që Kosova dhe Serbia të bëjnë hapa të rëndësishëm përpara në interes të integrimit të të dyja vendeve në Bashkimi Evropian”, një ditë para takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Në një bisedë telefonike të premten, siç bëhet e ditur në njoftimin për media nga BE-ja, Borrelli e Blinkeni u fokusuan në takimin që do të mbahet të shtunën në mes të dy krerëve.

“Borrelli njoftoi sekretarin Blinken për zhvillimet e fundit lidhur me procesin e normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, theksoi pritjet e tij nga takimi i Ohrit dhe nënvizoi rëndësinë e progresit në dialog për aspiratat evropiane për të dyja palët. Ai ka shprehur vlerësimin për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së për përpjekjet e BE-së, sidomos për Marrëveshjen në drejtim të normalizimit të raporteve dhe për procesin që po zhvillohet, për takimin e nivelit të lartë që do ta mbajë Përfaqësuesi i Lartë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti këtë të shtunë. Të dy u pajtuan që kjo është koha e duhur të bëhen hapa të rëndësishëm përpara në interes të integrimit evropian të Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Takimi në kuadër të dialogut ndërmjet dy shteteve do të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell dhe emisari Miroslav Lajcak. Diskutimet të shtunën pritet të fokusohen në arritjen e një dakordimi për planin e zbatimit të propozimit evropian, e ku pritet të përcaktohen edhe afatet e zbatimit të pikave e veprimet që do të ndërmerren. Dy krerët, sipas BE-së, ishin pajtuar më 27 shkurt për përmbajtjen e propozimit evropian.