Arbëri

VV: Bojkoti i PAN-it është sulm ndaj shtetit

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate për media, ka thënë se përfaqësuesit e PDK-së e shpërdorën ‘takimin konsultativ’ në mbajtjen e të cilit insistuan vet.

Ata, sipas VV-së, pa asnjë arsye të qëndrueshme nuk pranuan kërkesën e Kryesuesit të Kuvendit të Republikës, deputetit Adem Mikullovci, për të marrë pjesë në seancën e rregullt të caktuar për nesër.

Kësisoj, PDK, gjithnjë sipas Vetëvendosjes, sërish shkelën procedurat parlamentare dhe kushtetuese dhe vazhduan bllokimin e themelimit të institucioneve.

“Sot, koalicioni PAN shtroi sërish një kërkesë absurde por të kuptueshme duke ditur gjendjen e tyre. Ata, veçanërisht PDK kërkuan që me ‘konsensus’ t’ua bëjmë ne shumicën të cilën as e morën nga qytetarët me 11 qershor as nuk e arritën me ndonjë partneritet politik më pas. Përmes “takimeve konsultative” si ky sot, PAN po insiston në emërimin arbitrar e jo në përzgjedhje demokratike”, thotë VV në këtë reagim.

Bllokimi i procesit parlamentar, sipas Vetëvendosjes, është taktikë, “kurse kriza politike si strategji e koordinuar e koalicionit PAN është vetëm nevojë e drejtuesve të PDK-së”.

“Sot, qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim ndodhen në situatë shantazhi të cilën, nuk ua kanë për borxh sidomos PDK-së që për dhjetë vite është në pushtet. Veprimet e fundit të koalicionit të PDK-së konfirmojnë sheshazi atë që e dimë të gjithë e që u përmend dje edhe nga znj. Angelika Viets, Ambasadorja e Gjermanisë - ‘Shumë kanë frikë edhe nga ndjekja penale nëse nuk janë në pushtet’. Ata pra, janë të interesuar që të jenë pushteti kështu e garantojnë sigurinë e vet”, ka thënë VV në këtë reagim.

Vetëvendosje thotë se po e përcjell me shqetësim “lojën e rrezikshme të PAN-it”, ndërsa ka tërhequr vërejtjen për dëmet që po i shkaktohen qytetarëve dhe Republikës.

VV më tej thotë se pajtohet me brengat e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare “ndaj pengmarrjes së institucionit të Kuvendit nga ana e këtij koalicioni, të udhëhequr nga PDK”.

Lëvizja Vetëvendosje në fund u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit që të mblidhen nesër për vazhdimin e seancës konstituive.

“Prania jonë e rregullt në sallën e Kuvendit mbetet dëshmia më e fuqishme e përgjegjësisë ndaj qytetarit dhe Republikës. Bojkoti i PAN-it është sulm ndaj shtetit”, ka përfunduar LVV.