Arbëri

24 vjet pas, MKRS-ja e UP-ja bëhen bashkë për memorializimin e fëmijëve të vrarë në luftë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka nënshkruar memorandum me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” për hartimin e dokumentit narrativ dhe zbatimin e projektit të memorializimit për fëmijët e vrarë apo zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Puna e konsultimeve dhe narrativës për këtë projekt pritet të nis qysh nga ky muaj dhe pritet të përfundoj në gusht, ndërsa në shtator të po këtij viti parashihet të hapet konkurs ndërkombëtar për hartimin e projektit të memorialit.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, u shpreh se ky projekt është shumë i rëndësishëm për shtetin dhe shoqërinë e Kosovës.

Ai tha se do të konsultohen me familjarët e fëmijëve viktimë gjatë luftës, por edhe fëmijët e mbijetuar dhe dëshmitarë të tjerë me qëllim që ky projekt të jetë i dinjitetshëm.

Çeku tha se brenda dy vjetëve synojnë të ofrojmë një memorial që kontribuon në kujtimin e fëmijëve të vrarë në luftë.

“Askush më shumë se ata që kanë humbur fëmijët nuk dinë të na tregojnë dhe rrëfejnë këto krime dhe tmerre që ka shkaktuar Serbia në Kosovë. Për këtë projekt bashkërisht zotohemi se do t’i dedikojmë të gjitha burimet e nevojshme njerëzore, financiare për zbatimin e plotë në kohë dhe standarde të plota. Brenda dy viteve shpresojmë t’i dhurojmë diçka të dinjitetshme publikut dhe familjarëve të fëmijëve viktimë, një memorial që kontribuon në kujtesën e tyre për jetë përballë të gjitha gjeneratave të ardhshme”, theksoi ai.

Ministri, Çeku u shpreh po ashtu se kurdo që ndërtohet ai memorial dhe çfarë do forme ai duhet të jetë projekt që në mënyrën më të mirë do të paraqes kujtimin për fëmijët e vrarë dhe zhdukur gjatë luftës.

Sipas tij forma e këtij projekti të memorialit do të dihet tek pas përfundimit të konsultimeve, prandaj theksoi se ende nuk dihet kostoja e tij.

“Me planin tonë dinamik është paraparë që puna e konsultimeve dhe krijimit të një narrative mbi të cilën do të shpallet konkursi ndërkombëtar fillon në mars në muajin aktual dhe afërsisht përfundon në gusht, ndërsa në fillim të shtatorit ne do ta kemi materialin bazë mbi të cilin do të mund që ta shpallim konkursin ndërkombëtar për projektim se a do të jetë një memorial në formën e monumenti, apo të një skulpture apo muzeu këto dalin nga konsultimet edhe të grupit punues”, theksoi Çeku.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi ka shprehur gatishmërinë e plotë të këtij institucioni për projektin e memorializimit të fëmijëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sipas tij do të punojnë në dizajnimin sa më të saktë metodik të konceptit në mënyrë që rezultati të jetë dinjitoz dhe propocional me qëllimin.

“Më e pakta ajo që ne mund të bëjmë është që të mos i harrojmë ata dhe t’i kujtojmë e të gjejmë forma të shprehjes institucionale, historike, monumentale që ekzistenca e tyre të përkujtohet në përjetësi”, theksoi Qerimi.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka vendosur kontakte përmes të cilave të gjithë të interesuarit mund të bëhen pjesë e konsultimeve për projektin e memorialit të fëmijëve të vrarë dhe zhdukur gjatë luftës në Kosovës. Kontaktet janë numri i telefonit 046 - 222 - 006 apo emaili memorali@rks-gov.net.