Arbëri

Borrell: BE-ja e SHBA-ja kanë bashkëpunim shumë të mirë sa i përket dialogut Kosovë - Serbi

Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja bashkëpunojnë mirë, veçanërisht kur bëhet fjalë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Borrell i është përgjigjur pyetjeve të deputetëve në Parlamentin Evropian në Strasburg.

Eurodeputeti Tonino Picula e pyeti Borrellin se si Bashkimi Evropian mund të ndihmonte për stabilizimin e situatës politike në Mal të Zi dhe nëse ndërmjetësimi evropiano-amerikan mund të ishte sukses si në rastin e Maqedonisë së Veriut.

“Ne mund ta bëjmë këtë së bashku me SHBA-në, pse jo. Ne bashkëpunojmë jashtëzakonisht mirë me SHBA-në në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë shumë efikase, ashtu ishte edhe në rastin e Maqedonisë. Këtë mund ta bëjmë edhe në rastin e Malit të Zi, por tani po punohet për koordinim që përfshinë luftën kundër dezinformatave. Nuk ka ende ndërmjetësim të përbashkët mes SHBA-së dhe BE-së. Të shfrytëzoj këtë mundësi të përmendi sa i rëndësishëm është ky bashkëpunim në tentim për të zgjidhur problemet mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Borrell.