Arbëri

4 subjekte politike e një kandidate e pavarur konfirmojnë pjesëmarrjen në zgjedhjet në veri

Descriptive Text

Katër subjekte politike e një kandidate e pavarur kanë konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat veriore të Kosovës që do të mbahen më 23 prill dhe për kuvende komunale në dy komuna veriore.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se 11 parti kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, janë shpallur pas dorëheqjeve që dhanë kryetarët e këtyre komunave më 6 nëntor. Po ashtu janë shpallur zgjedhjet edhe për kuvendet komunale në Zveçan e Leposaviq.

Zgjedhjet ishin paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor përkatësisht 25 dhjetor, por ato u shtynë për shkak të tensioneve të krijuara në veri. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas konsultimeve me parti politike kishte vendosur për shtyrje të zgjedhjeve, duke thënë se “rrezikohej legjitimiteti i tyre pasi asnjë prej organizatave vendore e ndërkombëtare nuk ishin paraqitur për t’i vëzhguar ato”.

“Duke filluar nga data 9 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar zbatimin e planit operacional për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe zgjedhjeve të parakohshme për kuvendet komunale të dy komunave: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023. Duke u mbështetur në afatet e caktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke filluar nga data 9 mars dhe deri më sot, 13 mars, partitë politike të regjistruara kanë mundur ta njoftojnë KQZ-në se nuk dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 prillit në këto komuna. Brenda këtij afati, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar deklarimet për mospjesëmarrje në zgjedhje nga 11 parti politike: Partia Demokratike e Diasporës, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Pokret za Gora, Socialdemokratska Unija, Fjala, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Kosovaki Nevi Romani Partia, Partia Demokratike e Unitetit, Jedinstvena Goranska Partia dhe Kosova Demokratik Türk Partisi dhe Partia Balliste. Gjithashtu, nga data 9 deri më 13 mars, është zhvilluar afati për konfirmimin e certifikimit të subjekteve politike, proces i zhvilluar në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar. Brenda këtij afati kemi pranuar njoftimin konfirmues nga të gjitha subjektet politike të certifikuara: Iniciativa Qytetare Mitrovica, Partia Demokratike e Kosovës, Partija Kosovskih Srba, Slaxhana Pantoviq (kandidate e pavarur) dhe Lëvizja Vetëvendosje”, tha Elezi.