Arbëri

Sot mbyllet afati për deklarim të mospjesëmarrjes në zgjedhjet në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se 13 marsi është data e fundit që partitë politike mund ta njoftojnë këtë institucion për mospjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave veriore.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se të partitë politike kanë kohë deri të hënën të dorëzojnë njoftim zyrtar për mospjesëmarrje në zgjedhje.

“Afati i vendosur nga KQZ-së për partitë politike për të deklaruar mospjesëmarrjen në zgjedhje përfundon më 13 mars”, ka thënë Elezi për KOHËN.

Deri më tani, tetë parti politike i kanë dorëzuar në KQZ njoftimet për mospjesëmarrje.

“Partia Demokratike e Diasporës, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Pokret za Gora, Socialdemokratska Unija, Fjala, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Kosovaki Nevi Romani Partia dhe Partia Demokratike e Unitetit”, ka thënë më tej Elezi.

Të enjten e javës së kaluar, Lista Serbe ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje, megjithatë deri më tani nuk ka dorëzuar njoftim zyrtar.

Kjo parti ka thënë se nuk janë përmbushur kërkesat që i kanë shtyrë ata të largohen nga institucionet e vendit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dërguar njoftim partisë sonë politike se nga data 9 mars e deri më 18 mars do të jetë afati i fundit për paraqitje të partisë për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës e M.. Me këtë rast shfrytëzojmë rastin t’i informojmë qytetarët se partia jonë politike nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, sepse nuk janë plotësuar kërkesat për të cilat ne u larguam nga institucionet e Kosovës dhe as nuk do të marrim pjesë në zgjedhje derisa të plotësohen kërkesat tona legjitime”, ka thënë Lista Serbe në komunikatë. “Kjo e bën edhe më të qartë se Prishtina dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë duke u përpjekur që në mënyrë të njëanshme të organizojnë zgjedhje në veri të Kosovës e M., kundër vullnetit të qytetarëve, pa respektuar interesat legjitime të popullit serb”, thuhet në komunikatë.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës do mbahen pasi kryetarët e komunave që ishin nga radhët e Listës Serbe dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, në kuadër të largimit kolektiv të punëtorëve të etnisë serbe nga institucionet e Kosovës.