Arbëri

Cramon: Shpresoj shumë të arrihet marrëveshja në Ohër

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, tha se shpreson shumë që më 18 mars të arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër. Ajo shkroi në Twitter të dielën, se kjo marrëveshje do të ishte hap i rëndësishëm për integrimin e dy vendeve.

“Shpresoj shumë që do të shohim të dy nënshkrimet nën marrëveshje në fund të javës së ardhshme në Ohër. Ky do të jetë hap i madh drejt integrimit evropian për të dy vendet,” shkroi Von Cramon.

Ajo i komentoi deklarimet e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, që iu bëri thirrje palëve të nënshkruajnë marrëveshjen, pasi siç tha ai, “e përshpejton integrimin dhe mundëson rrugëtim të plotë drejt normalizimit dhe njohjes”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen më 18 mars në Ohër, për të nënshkruar marrëveshjen, për të cilën janë dakorduar të hënën e kaluar.