Arbëri

Spahiu: Plani franko-gjerman e ka njohjen de jure

Analisti Nexhmedin Spahiu ka thënë se plani franko-gjerman e ka njohjen e Kosovës nga Serbia edhe de jure. Ai ka deklaruar në “Konfrontin” e KTV-së të enjten, se si këmbim i njohjes do të ofrohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, mirëpo Spahiu ka theksuar se ky plan zor se do të nënshkruhet nga Serbia.

“Propozimi franko-gjerman është formulë ku njohja de facto dhe de jure e Kosovës këmbehet me një autonomi për serbët, me të madhe sesa ata e gëzojnë me Kushtetutë. Kërkesa e serbëve është autonomi më të madhe, e shprehur për Asociacion, por cili do të jetë niveli i saj, në mes të kërkesës që kanë serbët që të jetë tip i Republika Sërpskas dhe pozicionit ku qëndron Kosova, ka një dallim shumë të madh”, ka deklaruar ai.

Sipas Spahiut, neni 1 i dakordimit thotë se “palët do t’i njohin simbolet kombëtare të njëra-tjetrës”, e kjo siç ka thënë ai, është njohje de facto dhe de jure.

“Kur e njeh kombin, është si ta njohësh pavarësinë dhe shtetin që ka formuar ai komb. Tani po jepet edhe me kompetenca që akoma s’janë të qarta, mirëpo në fund po jepet në këmbim të njohjes. Njohja nuk është vetëm nëpërmjet notës qeveritare, por mundet edhe me notë të heshtur”, ka shtuar ai.

Analisti dhe politologu ka thënë se Serbia do ta ndërrojë Kushtetutën e saj në rast se e pranon këtë plan evropian.