Hoti PAN-it: Jeni pakicë, e keni të pamundur themelimin e institucioneve

Hoti PAN-it: Jeni pakicë, e keni të pamundur themelimin e institucioneve

09 August 2017 10:30

Deputeti i LDK-së Avdullah Hoti në takimin konsultativ të partive politike ka thënë se PAN-i është pakicë dhe si e tillë është e pamundur të themelojë institucionet.

Ai ka kërkuar nga PAN-i që të marrin pjesë në seancën e Kuvendit dhe të japin emrin e kandidatit për kryeparlamentar ose të deklarohen se nuk i kanë nurmat.

“Për koalicionin tonë sa herë seancat thirren në mënyrë kushtetuese ne do të marrim pjesë sikurse në takime që do t’i thirr kryesuesi. Ne po respektojmë të drejtën tuaj kushtetuese sado që është i padrejtë. Unë pres që të gjithë të jemi të përgjegjshëm. Ju jeni pakicë e keni të pamundur të themeloni institucionet. Për të qenë të përgjegjshëm duhet të jeni në seancë ta jepni emrin e kandidatit ose të dilni e të deklaroheni se nuk i kemi numrat”, ka thënë Hoti gjatë këtij takimi, raporton KTV.

Ai më tutje ka thënë se kjo mungesë e PAN-it në seancat e Kuvendit është zhagitje e institucioneve.

“Kam mbajtur tri seanca deri tash, të tria janë thirrur në mënyrë të rregullt e vetëm në një seancë ka marrë pjesë koalicioni PAN. Keni kërkuar që seanca të mbahet të enjten e ky takim konsultativ sot. Unë mendoj që sjelljet e tilla janë për zhagitje të institucioneve. Ne tash do të duhej të kishim kuvend e qeveri funksionale”, është shprehur Hoti.

Hoti ka kërkuar që të diskutohet vetëm për datën e seancës, pasi është i bindur se PAN-i nuk i ka numrat as për të zgjedhur kryeparlamentarin e as kryeministrin.

“Realiteti është i tillë që koalicioni PAN nuk e ka shumicën për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit e Kryeministrit. Unë kërkoj që këtu të diskutojmë vetëm për datën e seancës e jo për oferta politike. Ju e keni keqkuptuar këtë takim ose nuk keni njohuri elementare për krijimin e institucioneve. Po hapni debate të kota vetëm po bëni mjegull”, është shprehur ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme