Arbëri

Kërkohet rritje kapacitetesh në gjyqësor e përgjegjësi disiplinore për neglizhim lëndësh

Foto: Koha / ilustrim

Mbingarkesa e gjykatave me lëndë, por edhe neglizhenca e gjyqtarëve në disa raste po shihen si shkaktarët kryesorë për zvarritjen e lëndëve në gjykata. Shoqëria civile thotë se për ta tejkaluar këtë gjendje duhet të shtohet numri i gjyqtarëve e bashkëpunëtorëve profesionalë. Për t’u zgjidhur një lënë në gjykatat e vendit palët mesatarisht presin deri 8 vjet.

Zvarritja e lëndëve shkaku i mbingarkesës së gjykatave me lëndë, por edhe neglizhencës së gjyqtarëve po shihet shqetësuese nga shoqërisë civile.

260.085 lëndë të pazgjidhura janë bartur nga viti i kaluar në 2023-n, sipas Raportit Statistikor të Gjykatave për vitin 2022 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

E numri i gjyqtarëve në nivel vendi , sipas këtij raporti është 404.

Anton Ndrecaj, drejtor i Programit në Qendrën për Ndihmë Ligjore dhe Zhvillim Rajonal - CLARD, thotë se është i domosdoshëm shtimi i numrit të gjyqtarëve dhe i bashkëpunëtorëve profesionalë në gjykata.

Ai thotë se në të kundërtën do të vazhdojë shkelja e të drejtave të palëve në gjykatë që mesatarisht presim 8 vjet për përfundimin e një lënde civile në sistem gjyqësor.

“Janë më shumë se 400.000 lëndë që janë të deponuara në gjykatat tona. Nëse e bëjmë një llogari të thjeshtë, në raport me numrin e banorëve, i bie që çdo i treti qytetar i Republikës së Kosovës ka një lëndë në gjykatë. Nëse i referohemi numrit të gjyqtarëve me rastet që i kemi në trajtim, atëherë natyrisht se mesatarja e një procesit gjyqësor është tetë vjet, domethënë epilogu me një aktgjykim të formës së prerë”, ka thënë drejtori i programit në “CLARD”, Anton Ndrecaj.

Së fundi, IKD-ja ka identifikuar një rast kur një gjyqtar i Gjykatës Themelore të Prishtinës i ka kaluar mbi 1000 ditë pa mbajtur asnjë seancë për një lëndë për fajde.

Për neglizhencën e gjyqtarëve në mosmbajtjen e seancave ka raportuar edhe KOHA, kur për një rast të krimeve të luftës në Gjykatën e Themelore të Mitrovicës seanca nuk janë mbajtur për më shumë se tre vjet.

Në raste të tilla, sipas hulumtuesit të lartë të IKD-së, Gzim Shala, duhet kërkuar llogari nga KGJK-ja.

“Mund të përmendim në përgjithësi rastet kur gjyqtarët ose edhe prokurorët në fazën e mëhershme nuk kanë përfunduar lëndë as sa kërkohet ose kanë përdorur matematika të ndryshme nëse mund të themi që vetëm ta arrijnë normën sa i obligon ata të përfundojnë lëndë të caktuara, në anën tjetër kemi pasur qasje selektive në disa raste që përkundër faktit që gjyqtarët kanë mbajtur seanca për shembull të vitit 2019, 2020 e të tjera, nuk kanë caktuar seanca për shembull të vitit 2017”, ka thënë Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD.

Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës në një përgjigje për KOHËN kanë thënë shkurtimisht se për adresimin e mbingarkesës për lëndë KGJK-ja e ka themeluar një komision që po merret me këtë çështje.

E për ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve nuk kanë dhënë përgjigje konkrete lidhur me atë se a janë marrë masa në rastet kur janë neglizhuar lëndët.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka miratuar Plani Strategjik për përmirësimin e qasjes në drejtësi 2022 – 2025, si dhe ka themeluar Komisionin për mbikëqyrjen e implementimit të këtij plani strategjik. Këshilli Gjyqësor i Kosovës publikon të gjitha vendimet me masa disiplinore në ueb faqe të KGJK-së, në të cilat janë përshkruar përkatësisht trajtuar shkeljet e pretenduara disiplinore për të gjithë gjyqtarët që kanë qenë në procedurë disiplinore”, ka thënë Aishe Qorraj, zëdhënëse e KGJK-së.

Siç rezulton në faqen e KGJK-së, asnjë gjyqtar nuk është sanksionuar për neglizhim të lëndëve gjatë këtij viti.

E në gjashtëmujorin e fundit të vitit të kaluar KGJK-ja dënoi dy gjyqtarë të Prishtinës për neglizhencë të kërkesave të palëve në rastet që po i gjykonin.