Arbëri

Kaos me çmimet e barnave, dallim deri 100 për qind nga barnatorja në barnatore

Ligji për Nivelimin e Çmimit të Barnave, i premtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk është konkretizuar as në vitin e tretë të Qeverisë Kurti. Në mungesë të tij, Kosova mbetet ndër vendet e pakta në Evropë që nuk ka kontroll mbi çmimin e barnave. E vetëm brenda një intervali kohor prej 15 minutash, KOHA në tri barnatore e bleu të njëjtin ilaç me dallim të çmimit që shkon deri në 100 për qind

Asnjë kontroll nuk e ka shteti mbi çmimet e barnave që shiten nëpër barnatore private.

Mosrregullimi i tregut farmaceutik ka bërë që kosovarët të paguajnë shuma shumë më të larta për barnat e njëjta krahasuar me qytetarët e shteteve të tjera.

Kosova është një nga vendet e vetme ku farmacisti vendos, krye më vete, për çmimet e barnave. KOHA ka blerë barin e njëjtë në disa barnatore. Bari i njëjtë, i kompanisë së njëjtë me cilësinë e njëjtë ka çmime të ndryshme në 3 barnatore. Dallimi është deri 100 për qind në një distancë të shkurtër.

Tabletat Bedoxin apo vitamina B6 janë një nga produktet më të lira nëpër barnatore private e që mund të blihen edhe pa një recetë mjekësore.

Ani se është bar i prodhuesit vendor, ai mund të blihet me çmime të ndryshme.

Brenda 15 minutash, nëpër barnatore të ndryshme përbrenda një distancë prej 30 metrash nga njëra-tjetra, KOHA e ka blerë këtë produkt me çmime prej 0.60 euro, 0.90 euro dhe 1.20 euro.

KOHA nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë ka adresuar pyetje në Inspektoratin Farmaceutik nëse lëvizshmëria e çmimeve mund të vihet nën kontroll, porse ende nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një deklaratë për KOHËN ka theksuar se çështja do të adresohet me anë të miratimit të Ligjit për Nivelimin e Çmimit të Barnave.

“Kemi pas raste kur shumica e barnave në Republikën e Kosovës, të njëjtat barna në shtetet përreth janë shitur shumë më lirë. Njëherë e përgjithmonë t’i vihet pikë kësaj problematike dhe do të jenë marzhat e caktuara ku pastaj çmimi do të jetë i njëjtë në secilën barnatore pa dallim dhe kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në xhepin e qytetarëve dhe kursimin e shumë mjeteve nga xhepi i qytetarëve me këtë ligj”, ka thënë Vitia.

Ky draftligj fillimisht duhet të procedohet në Qeveri dhe më pas t’i kalojë Kuvendit, por nuk dihet se kur saktësisht mund të hyjë në fuqi dhe nëse sivjet mund edhe të gjejë zbatim, shkaku që për të parashihen edhe akte përcjellëse ligjore që e mundësojnë zbatimin e plotë.

Ky është ligji i parë që Lëvizja Vetëvendosje pati premtuar që ta kalonte në Qeverinë Kurti 2. Megjithëkëtë, nuk është proceduar as dy vjet që nga nisja e qeverisjes aktuale.

E më 2019 ishte nxjerrë një udhëzim administrativ për këtë çështje, porse nuk është zbatuar në asnjë rast.