Arbëri

Rashiq: Brukseli gaboi që nuk e fuqizoi pluralizmin brenda komunitetit serb në Kosovë

Serbët e veriut janë privuar nga subvencionet, shkaku i sabotimit të procesit nga administrata e komunave në këtë rajon, ka thënë ministri Nenad Rashiq. Ai shprehu pritjen që, pas marrëveshjes Kosovë-Serbi, situata të ndërrojë, por kritikoi BE-në për mungesë investimi në pluralizmin brenda komunitetit serb në Kosovë.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, tha të premten se serbët e veriut po privohen nga e drejta e qasjes në subvencione, shkaku i sabotimit të punës në këto komuna, pas përcaktimit të Listës Serbe për t’u tërhequr nga institucionet. Në një konferencë shtypi, ai bëri të ditur se në disa raste është dashur të intervenojë edhe policia.

“Ka disa njerëz dashakeqë, të cilët janë munduar që në çdo mënyrë t’i pengojnë aplikantët që të aplikojnë. Unë për këtë i kam lajmëruar organet kompetente... Nuk di si ta përshkruaj një shoqëri ku juve ju mohohet e drejta të aplikoni për arsye se punëtori në komunë nuk dëshiron t’ju jap fletën poseduese apo ndonjë dokument tjetër që ju nevojitet”, tha ministri Rashiq.

Ministri Rashiq tha të mos e ketë informatën sesa nga 3.400 aplikacionet për subvencione janë nga veriu, por shprehu pritjen që situata politike të ndërrojë në komunat e këtij rajoni.

Sipas tij, nëse këtë muaj nënshkruhet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, në zgjedhjet lokale të planifikuara për në muajin prill mund të marrë pjesë edhe Lista Serbe, subjekt që fundvitin e shkuar i braktisi institucionet. Por, ai shprehu brengën për mungesë pluralizmi brenda komunitetit serb në Kosovë.

“Unë gjithmonë kam thënë se pluralizmi është i mangët. Është gabimi më i madh edhe i Brukselit që nuk e ka fuqizuar pluralizmin në komunitetin serb në Kosovë dhe kjo tash po reflekton. Dhjetë vjet pas po e shohim se ky është gabim fatal”, deklaroi Rashiq.

Në zgjedhjet e fundit, Lista Serbe siguroi të 10 ulëset për komunitetin serb në Kuvend, e po kështu edhe pushtetin në 9 nga 10 komunat ku shumicë është ky komunitet.

Por, pas përcaktimit të Qeverisë për konvertim të targave ilegale serbe në RKS, ajo braktisi institucionet dhe u vu në krye të barrikadave në rrugë të veriut.

Rashiqi, i cili u bë ministër për Komunitete dhe Kthim pasi nga ajo pozitë u dorëhoq kryetari i Listës Serbe, shprehu besimin se pas marrëveshjes Kosovë-Serbi, do të pushojnë edhe tensionet.

“Marrëveshja është e mirë. Në veçanti të mos hyjmë në detaje të tjera, por kur thuhet se dy anët do të përpiqen të mos veprojnë në mënyrë radikale, ekstreme ose çfarëdo qoftë, por vetëm kjo të rregullohet me negociata”, u shpreh ai.

Nëpërmjet Planit evropian, me të cilin verbalisht u pajtuan të hënën, Kosova dhe Sebria zotohen që ta zgjidhin çdo mosmarrëveshje vetëm në mënyrë paqësore dhe të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës.