Arbëri

Krasniqi: Është gabim që Kurti ta nënshkruajë planin franko-gjerman

Descriptive Text

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi, ka thënë se do të ishte gabim që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ta nënshkruante planin franko-gjerman.

Krasniqi ka thënë të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së se ky plan është kthim prapa për Kosovën.

Ajo po ashtu ka thënë se një marrëveshje me Serbinë nuk do të duhej të nënshkruhej asesi në vendet fqinje, por në Shtëpinë e Bardhë ose në vendet e QUINT-it.

“Është gabim nëse Kurti e nënshkruan një plan të tillë sepse është kthim prapa për Kosovën. Kurti është dashur të insistojë që të ketë njohje e jo Asociacion me kompetenca ekzekutive. Kurti do të duhej të vinte në Kuvend dhe të deklaronte se çka është folur dhe çka pritet tutje. Në vend se të bëhet një marrëveshje e të nënshkruhet në vendet e QUINT-it e jo të një shteti fqinj siç është Maqedonia. Ka qenë më mirë që të bëhet një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë ose në vendet e tjera të QUINT-it jo në vende si Maqedonia”, ka thënë Krasniqi.

Ajo ka shtuar se plani franko-gjerman do të duhej ta përmbante njohjen nga Serbia dhe se Kurti nuk do të duhej ta pranonte atë pa njohjen.

“Me këtë plan i është plotësuar dëshira presidentit Vuçiq, sepse pati thënë të gjitha përveç njohjes përfundimtare, e ne kemi kërkuar njohjen përfundimtare”, është shprehur deputetja Krasniqi, duke shtuar se Kurti nuk po e përmend më asnjë prej parimeve me të cilat ka ardhur në pushtet.