Arbëri

Tahiri e quan Kurtin dyfytyrësh

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, deklaroi se marrëveshja në Bruksel e ka Asociacionin e komunave me shumicë serbe, derisa kryeministrin Albin Kurti e quajti dyfytyrësh.

Ajo pyeti në Facebook të martën se pse nuk janë përfshirë shqiptarët e Luginës së Preshevës, ndërsa tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka njohur kryeministrin Kurti, por jo Kosovën.

“Asociacion për serbët po, me dy duart, po shqiptarët e Luginës së Preshevës ku mbetën? Kjo është fytyra dyfytyrëshe e Albin Kurtit”, shkroi Tahiri, derisa në një postim paraprak, tha se ajo që dihet është që Vuçiqi e ka njohur Kurtin, por jo shtetin e Kosovës.

“Pas një përfundimi në Bruksel pa nënshkrime dhe deklarata kundërthënëse të të dyja palëve”.

LEXO EDHE: Bislimi: Asociacioni si institucion joqeveritar, jo qeverisje ekzekutive

Më 1 shkurt të 2023-s, ish-negociatorja e Kosovës pati thënë se Kurti nuk po merret aspak me Asociacionin, pasi sipas saj, këtë e ka shndërruar në kauzë.