Arbëri

Nushi: Sot Kurti nënshkruan dokumentin të cilin nuk e kanë parë as deputetët e VV-së

Descriptive Text

Nol Nushi nga Partia Socialdemokrate ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën do të nënshkruajë dokumentin, të cilin nuk e kanë parë as deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke iu referuar planit evropian, të njohur si propozimi franko-gjerman.

I ftuar të hënën në “60 Minuta” të KTV-së, pas aksionit të PSD-së ku janë kundërshtuar takimet që po mbahen në Bruksel, me theks të veçantë tema e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Nushi ka thënë se në parim nuk është kundërshtuar takimi por ajo se çfarë është pajtuar Kurti të hënën që të pranohet në Bruksel.

“Ne në parim nuk e kemi kundërshtuar takimin, e kemi kundërshtuar atë se çfarë është pajtuar z.Kurti sot që të pranohet në Bruksel që është plani franko-gjerman, përmes së cilit po instalohet edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Asociacioni është nënshkruar më 2013, është formalizuar edhe në 2015tën, po bëhen 10 vjet nga ai nënshkrim, asnjë kryeministër nuk e zbatoi dhe kush po del ta zbatojë është kryeministri Kurti, i cili rritjen në politikë e ka pasur përmes kundërshtimit të dialogut të Brukselit që sillte Zajednicën në atë kohë dhe në atë kohë rezistenca ka qenë aq e madhe sa që ka pasur qindra aktivistë të arrestuar. Astrit Dehari ka vdekur në burg për kundërshtimin e kësaj marrëveshjeje. Kosova po e pranon një plan që do ta udhëheqë rrugën politike të këtij shteti për vite të tëra dhe atë plan nuk e ka parë askush. A e dini se as deputetët e z.Kurti nuk e kanë parë këtë plan. Për çfarë janë votuar ata, a janë robotë”, ka thënë ai.

Sipas Nushit, kur Qeveria themelon një asociacion, ai nuk do të jetë organizatë joqeveritare, por një nivel paralel i pushtetit.

“Në momentin që Qeveria e themelon një asociacion, ajo nuk është OJQ, Asociacionin e Komunave të Kosovës nuk e ka themeluar Qeveria por komunat. Ky është një nivel paralel i pushtetit. Nuk e dimë se çfarë kompetencash do të ketë dhe jam i sigurt që kompetencat nuk do të jenë problem kryesor i Asociacionit, do të jetë motivi për të cilin ai po themelohet. Serbëve në Kosovë, komunave dhe kryetarëve të tyre po ua krijojmë një infrastrukturë të re që do t’i dalë përballë shtetit të Kosovës, çdo mospajtim i kësaj përballje do të shkojë nëpër gjykata. Jemi kundërshtarë të ashpër të këtij Asociacionit, besoj se jemi edhe më shumë se ç’ka qenë z.Kurti, sepse ai nuk e paska pasur seriozisht. Ai gjithë këtë dialog e paska përdorur për arritjen në pushtet dhe posa u fut në Bruksel po zgjedh që ta implementojë marrëveshjen që dikur e kundërshtonte”, është shprehur më tej Nushi.