Arbëri

Përplasen Hoti e Peci, e quajnë njëri-tjetrin manipulant e mashtrues

Një postim i ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, në Facebook të premten, në të cilin e quan ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, mashtrues, ka nxitur reagimin e Pecit, i cili e ka quajtur Hotin manipulant.

Hoti në postimin e tij ka thënë se faktet tregojnë që efektet e punës së Pecit në krye të Ministrisë së Bujqësisë janë zero, duke shtuar se në ditët e ardhshme do të publikojë të dhëna që siç ka thënë, do ta demaskojnë mashtrimin dhe dështimin e kësaj qeverisjeje.

“Nuk ka gjasa që në Kosovë më 2022 të jetë rritur kaq shumë konsumi i qumështit, grurit apo mishit. Kështu që, këto shifra tregojnë se ka rënë prodhimi vendor dhe se konsumi është plotësuar nga rritja e importit. Le t’ia sqarojë dikush ministrit të nderuar këto të dhëna. Në ditët e ardhshme do të publikohen edhe të dhëna të tjera për të demaskuar mashtrimin dhe dështimin e kësaj qeverisje”, ka shkruar Hoti.

Pas kësaj, Peci përmes një postimi po në Facebook, e ka quajtur Hotin manipulant.

“Për Avdullah manipulantin! Nuk e keni dëgjuar asnjëherë Avdullahun duke diskuar për sektorin e Bujqësisë sa ka qenë Ministër i Financave dhe Kryeministër jo-legjitim... Për qeverisjen tënde ‘efikase’ për sektorin sa e ke pasur në menaxhim, në AUV është vjedhur edhe kasaforta në këtë Agjenci e rëndë hiç më pak se 300 kg. Ta rikujtoj Avdullah, se unë jo që nuk kam lejuar vjedhjen e kasafortës së Shtetit në Zyrën e Presidentes, por edhe e kam mbrojtur me gjoks. Karshi krejt këtyre shkeljeve abuzive, ti si Ministër i Financave dhe si Kryeministër jo-legjitim, keni qëndruar si struci. Sa ke qenë ti Avdullah Kryeministër, kafshët kanë hyrë në Kosovë pa u regjistruar fare”, ka shkruar ndër të tjera Peci.

Hoti ka reaguar sërish në Facebook, duke thënë se mashtrimet nuk kalojnë dhe për më tepër, duke e pyetur Pecin se a do të kalojë “Zajednica” të hënën në Bruksel.

“Qenka nxehur z.Peci. I paskan djegur shifrat zyrtare që i kam publikuar në mëngjes. I fortë është në zanatin e tij të sharjeve ndaj kundërshtarëve politik, në veçanti të atyre nga shtëpia e tij e vjetër politike. E vërteta dhemb, por e çliron njeriun. Mashtrimet nuk kalojnë. Mos u ngut. Sharjet nuk t’i kam borxh as unë dhe as partia ime. Me këtë rast, dëshiroj të të pyes: Çfarë po bëni të hënën në Bruksel? A kalon apo nuk kalon…. ZAJEDNICA?!”, ka shkruar Hoti.