Arbëri

Hoti: Faktet tregojnë që efektet e punës së Pecit janë zero

Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka kritikuar ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, për mungesë të mbështetjes së bujqve. Sipas tij rritja enorme e importit të produkteve bujqësore gjatë vitit 2022, tregon që prodhimi vendor ka rënë.

Hoti ka thënë se kjo është pasoje e mosmbështetjes së bujqve nga ana e Ministrisë së Bujqësisë.

“Që nga fundi i vitit 2021 e kam theksuar disa herë, se nëse nuk rritet menjëherë mbështetja për bujqit, rritja e konsiderueshme e çmimit të inputeve bujqësore (farëra, plehra, pesticide dhe ushqim të kafshëve) do të dëmtojë prodhimin vendor. Dje e kam përsëritur këtë shqetësim pasi çmimet e këtyre inputeve bujqësore po vazhdojnë të rriten. Ministri i Bujqësisë, në vend se të sqaroj se çfarë po bën për të zbutur krizën për bujqit, kishte shkruar një pamflet me plot tallje e cinizëm. Faktet tregojnë se efektet e punës së tij janë zero”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ai ka paraqitur edhe të dhënat e Doganës së Kosovës për importin e disa produkteve bujqësore në vitin 2021 dhe në vitin 2022.

“Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, gjatë vitit 2022 krahasuar me vitin 2021: 1. Importi i llojeve të ndryshme të grurit është rritur me 63% (2021 – 22.7 mil euro, 2022 – 36.9 mil euro). 2. Importi i llojeve të ndryshme të mishit është rritur me 51% (2021 – 82.5 mil euro, 2022 – 124.5 mil euro). 3. Importi i gjedheve për therje është rritur me 42% (2021 – 45.2 mil euro, 2022 – 64.2 mil euro). 4. Importi i qumështit dhe produkteve të qumështit është rritur me 32% (2021 – 56.8 mil euro, 2022 – 75.2 mil euro)”, ka shkruar Hoti, duke shtuar se kjo rritje “është tepër e madhe pavarësisht rritjes së inflacionit”.

“Nuk ka gjasa që në Kosovë më 2022 të jetë rritur kaq shumë konsumi i qumështit, grurit apo mishit. Kështu që, këto shifra tregojnë se ka rënë prodhimi vendor dhe se konsumi është plotësuar nga rritja e importit. Le t’ia sqarojë dikush ministrit të nderuar këto të dhëna. Në ditët e ardhshme do të publikohen edhe të dhëna të tjera për të demaskuar mashtrimin dhe dështimin e kësaj qeverisje”, ka shkruar Hoti.