Arbëri

“Çështja e Kosovës të trajtohet si kriza e Qipros”

Natyrisht se është më së miri që të shkohet në “marrëveshje historike” me shqiptarët nëse për diçka të tillë ka hapësirë dhe nëse kjo sintagmë nuk është vetëm eufemizëm për kapitullim dhe për njohje të plotë të pavarësisë së Kosovës në këmbim për asgjë.

Nëse kjo marrëveshje nuk është e mundur, atëherë zgjidhje e dytë më e mirë është ngrirja e konfliktit, mendon deputeti serb Gjorgje Vukadinoviq, transmeton Koha.net.

Vukadinoviq në rubrikën “Pogledi” të gazetës Politika të Beogradit ka thënë se duhet pranuar të kundërtën e asaj që e ka bërë kjo Qeveri e në masë të madhe edhe ajo paraprake.

“Mos e shprush dhe mos insisto në zgjidhje kur je në pozitë të pavolitshme. Mbaji fuqishëm ato që po i mban dhe mos i jep (sigurinë dhe jurisprudencën në veri, energjetikën, kodin telefonik ndërkombëtar) dhe mos e jep për një zog në qiell të ashtuquajturin AKS dhe për përparimin virtual për rrugën shumë të pasigurt evropiane”, ka shkruar ai.

Fundja, ka theksuar ai, ta shikojmë konfliktin e Qipros edhe pak. Qe gjysmë shekulli po zgjat kriza qipriote dhe negociatat lidhur me të. Lëvizjet janë të vogla, të dy palët mbajnë pozicionet e veta dhe gjatë kësaj kohe nuk janë vrarë njëra me tjetrën dhe as është shkatërruar ndonjëra.

Vukadinoviq ka vlerësuar se “ngrirja e konfliktit” është zgjidhje shumë më e mirë se sa dorëzimi e kapitullimi, të cilat deri më tash, në rrjedhën e “dialogut të brendshëm të Vuçiqit”, përmes pakove të ndryshme, po na ofrohet si zgjidhje shpëtimtare “gjeniale dhe e guximshme”.

Gjorgje Vukadinoviq është deputet i pavarur nga Partia Demokratike e Serbisë - Dveri në Kuvendin e Serbisë, filozof dhe analist politik.