Arbëri

S’ka afate ligjore për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, thotë Krasniqi

Albert Krasniqi nga KDI, në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se seanca e thirrur për konstituimin e institucioneve të vendit, ka qenë e ngjashme me atë të pas zgjedhjeve të vitit 2014.

Ai thotë se qytetarët e Kosovës nuk i kanë dhënë besimin e plotë asnjë subjekti a koalicioni politik që të qeveris me vendin si e vetme, por që të bëjnë koalicione me njëra-tjetrën.

Krasniqi thotë se interpretimet ligjore po bëhen ashtu siç po u konvenon partive.

“Kryesuesi, pavarësisht që nuk është i zgjedhur, ka për obligim që të organizojë seancën konstituive, dhe Kushtetuta i jep më shumë të drejta sesa kryetarit të Kuvendit. Është ai që vendos se kur do të mbahet seanca konstituive. Duhet ta pranojnë partitë dhe zoti Mikullovci duhet të insistojë në këtë seancë”, deklaroi Albert Krasniqi, raporton Koha.net.

Sipas tij, Mikullovci ka bërë gabim në terminologji, kur ka thënë se seanca është mbyllur. “Ai është dashur të thotë se seanca pezullohet, por kjo është thjesht një lapsus. Largimi i PAN-it nga seanca tregon se ata nuk e kanë shumicën parlamentare, edhe përkundër asaj që ka deklaruar vazhdimisht për 2 muaj rresht”, ka thënë Krasniqi.

Ai thotë se të dalësh i pari në zgjedhje dhe të dalësh me shumicë parlamentare janë dy gjëra të ndryshme, dhe këtë të dytën nuk e ka asnjëra.

“Kryetari i Kuvendit nuk zgjidhet prej qytetarëve, por zgjidhet nga deputetët, që duhet të ketë një shumicë parlamentare. Në këtë rast, PAN-i nuk është në situatë që të vë kritere e kushte”, thotë ai.

Krasniqi mendon se Presidenti Hashim Thaçi, do të duhej t’i paraprinte procesit të zgjidhjes së këtij procesi, por që thotë se ai nuk ka qenë i paanshëm gjatë fushatës zgjedhore.

“Roli i Presidentit nuk ka qenë i paanshëm në fushatën zgjedhore. Ai i shtyri afatet ligjore për mbajtjen e seancës konstituive deri në maksimum. U pa se të gjitha veprimet e tij u bën që t’i mundësojë PAN-it të krijojë shumicë parlamentare”, theksoi ai, duke kujtuar se në të kaluarën as Presidentja Jahjaga nuk ka mundur të gjejë zgjidhje dhe është dashur intervenimi i ndërkombëtarëve.

“LDK se pranon Kadri Veselin, parti e cila ua imponoi në zgjedhjet e kaluara deputetëve të saj që ta votojnë po të njëjtin emër për kryetar të Kuvendit”, thotë Krasniqi.

“PAN ka disa opsione: të sigurojë edhe një deputet, gjë që nuk do të jetë shumë stabile. Sepse ka shumë vendime të mëdha që duhen marrë, siç janë kushtet për liberalizim të vizave, dhe me formën që po tentohen të sigurohen votat, do të jetë shumë e vështirë. Opsion tjetër është që PAN të hiqte dorë nga ky kandidat. Opsioni tjetër është që LDK dhe VV të pranojnë Veselin dhe të vazhdojnë me krijimin e institucioneve. Dhe opsioni i katër është që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme”, theksoi Krasniqi.

Ai thotë se shpërbërja e Kuvendit nuk ka nevojë të bëhet, dhe rolin e kryeparlamentarit mund ta zë Adem Mikullovci deri në zgjedhjet e ardhshme.

“Presidenti nuk mundet të shpërbëjë Kuvendin sepse Kuvendi nuk është i konstituuar. Është një situatë që mund të zgjas pafundësisht”, thekson ai.

Krasniqi mendon se votimi në bllok edhe i kryetarit të Kuvendit dhe kryeministri, nuk mund të ndodh, sepse “së pari duhet të themelohet Kuvendi”.

“Kjo s’mund të ndodh, dhe nëse tentohet që brenda të së njëjtës ditë të votohet edhe për kryetari e Kuvendit edhe për Kryeministër, duhet të thirret një seancë e re. Teknikisht nuk mund të bëhet votimi në bllok për këto dy pozita”, thotë Krasniqi.

Nuk ka ndonjë afat ligjor për sa kohë duhet të konstituohet Kuvendi, thotë Krasniqi. “Herën e kaluar ka zgjatur gati 6 muaj, dhe edhe në këtë rast, përderisa nuk ka ndonjë marrëveshje politike, dhe përderisa partitë po e luajnë lojën e vitit 2014, kjo situatë mund të vazhdojë. Nuk ka ndonjë mekanizëm ligjor që mund t’u imponohet partive për konstituimin e Kuvendit”, deklaroi Albert Krasniqi nga KDI në Interaktiv të KTV-së.