Arbëri

Klinika Emergjente gjatë vitit 2022 trajtoi mesatarisht 253 pacientë në ditë

Shërbimi Spitalor, Klinik, Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka bërë të ditur se gjatë vitit 2022 në Klinikën Emergjente, trajtim kanë marrë 92 mijë e 615 pacientë. Kjo i bie që mesatarisht brenda ditës janë trajtuar 253 pacientë.

Sipas njoftimit të SHSKUK-së, Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), vazhdon të mbetet institucioni më i ngarkuar me pacientë në sistemin publik shëndetësor në vend.

“Sipas të dhënave zyrtare nga kjo klinikë, 92 mijë e 615 pacientë kanë marrë shërbime mjekësore emergjente, gjatë vitit 2022. Shërbimi Internistik, 26 mijë e 608 pacientë. Shërbimi Kirurgjik, 20 mijë e 671 pacientë, Shërbimi i Reanimacionit, 19 mijë e 809 pacientë. Shërbimi i Ortopedisë, 19 mijë e 861 pacientë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu thuhet se janë kryer 1 mijë e 146 operacione në sallat operative emergjente dhe 5 mijë e 66 intervenime në sallën e vogël të intervenimeve.