Mospërcaktimi i afatit për konstituimin e Kuvendit po e çon vendin në krizë

Mospërcaktimi i afatit për konstituimin e Kuvendit po e çon vendin në krizë

07 August 2017 18:00

Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk parasheh afate ligjore sa i përket konstituimin e Kuvendit.

Përderisa me Kushtetutë përcaktohet afati prej 15 ditësh pas konstituimit të Kuvendit për formimin e Qeverisë.

Mos ekzistimi i afatit ligjor për konstituimin e Kuvendit po e çon vendin në një krizë të thellë, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Sipas Muratit, në bazë të qëndrimeve të partive politike kjo situatë mund të kalohej vetëm me një marrëveshje politike.

“Nuk kemi një afat kohor i cili do ta përcaktonte se deri në çfarë kohe do të mund të konstituohej Kuvendi dhe rrjedhimisht kjo po çon në një krizë politike të cilës fatkeqësisht nuk mund ti japim asnjë afat kohor të caktuar. E dimë se koalicioni PAN e ka ekskluzivitetin për ta propozuar edhe kryetarin e Kuvendit mirëpo një gjë e tillë deri më tani nuk ka ndodhur. Në bazë të qëndrimeve politike po shohim se do të jetë një problem i cili do të mund të kalohej vetëm me një marrëveshje politike në mes të subjekteve politike” ka shpjeguar Murati për EO.

Ai ka thënë është e pamundur mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në këtë kohë. Murati thotë se shpallja e zgjedhjeve mund të bëhet vetëm nga Kuvend i konstituuar.

“Në bazë të Kushtetutës është e paraparë mënyra se si shpërbëhet Kuvendi dhe disa nga mënyra kryesore është nëse nuk votohet Qeveria ose mandatari i qeverisë nuk arrijnë në afatin e caktuar kohor ta formojë qeverinë ose nuk arrihet të votohet presidenti dhe një mënyrë tjetër është nëse dy e treta e deputetëve e shpërndajnë Kuvendin mirëpo ndonëse deputetët janë betuar në njëfarë mënyre kanë marrë mandatin. Kuvendi nuk quhet i konstituuar derisa të zgjidhet kryetari dhe nënkryetari dhe për t’u shpërndarë Kuvendi duhet të shkohet në mocion procedural që nevojitet edhe kryesia e ne nuk kemi kryesi gjë që edhe shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme kjo situatë e bënë të pamundshme”, tha ai.

Ndërhyrjen e presidentit Hashim Thaçi, Murati e sheh të rëndësishëm në këtë periudhë.

“Në këtë rast duhet pasur parasysh edhe rolin e presidentit dhe njëfarë koordinimi të institucioneve të cilin ai duhet ta bëjë në rast të krizave politike. Jemi në një udhëkryq dhe një situatë të cilën nuk jemi gjendur më herët”, tha ai.

Sa i përket ofertës së PAN-it për votimin e kryekuvendarit dhe kryeministrit në një ditë të vetme Murati u shpreh se kjo nuk do të duhej të ndodhte.

Murati nuk e ka përjashtuar edhe mundësinë e ndërhyrjes nga ambasadat e huaja nëse nuk zgjidhet një bllokadë e tillë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme