Arbëri

Sondazhi i ri: A po e përgatit Vuçiqi opinionin në Serbi për Kosovën?

Deklaratat e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për planin franko-gjerman dhe një sondazh i kryer së fundmi po konsiderohet si përgatitje për një marrëveshje potenciale me Kosovën...

Më shumë se gjysma e qytetarëve të Serbisë, rreth 57 për qind, beson se Serbia duhet ta pranojë planin evropian nëse në të përjashtohet njohja zyrtare e Kosovës dhe pranimi i saj në Kombet e Bashkuara, ndërsa 33 për qind janë kundër, sipas një sondazhi të kryer nga agjencia “Faktor Plus”. Në tjetrën anë, rreth 80 për qind e qytetarëve janë kundër po që se propozimi përfshin njohjen e Kosovës dhe pranimin në OKB, shkruan “Blic”.

Drejtori i kësaj agjencie, Vladimir Pejiq, ka thënë se Kosova nuk është interes primar i qytetarëve të Serbisë, por kur ndodhin incidente, ajo del në rend të parë. Kur bëhet fjalë për refuzim të planit, çdo qytetar beson se plani i ardhshëm për zgjidhjen e Kosovës do të jetë edhe më i rëndë, dhe 36 për qind thonë se “nuk do të ketë plan të ri”, e 21 për qind besojnë se “plani i ardhshëm me gjasë do të jetë më i mirë”.

Ndër të paktat mediume jo të dirigjuara nga pushteti në Serbi, gazeta “Danas”, pas publikimit të sondazhit ka pyetur nëse këto sondazhe janë përgatitje të opinionit nga ana e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për çështjen e Kosovës. Siç ka thënë për këtë gazetë, Gëzim Baxhaku, korrespodent i “Betas” në Kosovë, “rezultatet nuk janë befasuese”.

“Parimisht ky rezultat është krijuar nga deklaratat e përditshme të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Serbisë, që në vazhdimësi kanë theksuar se pranimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara është problemi më i madh në propozim për normalizim raportesh”, ka thënë ai. Sipas tij, pas shumë deklaratash jo vetëm të Vuçiqit, por edhe të Ivica Daçiqit e të tjerëve se plani ishte i papranueshëm, deklarata e fundit e Vuçiqit ka ndryshuar qasjen në Serbi. Vuçiq ka njoftuar se po që se nuk pranohet plani do të ketë sanksione ndaj Serbisë dhe, sipas Baxhakut, bashkë me aktivitetet e partisë në pushtet dhe krijimit të qasjes se do të ishte goditje e madhe po që se plani nuk pranohet, publiku ka besuar se do të ishte më pak e dëmshme nëse do të pranohej ky propozim, “ku nuk do të kishte njohje ‘de jure’ të Kosovës, edhe pse do të kishte ‘de facto’”.

“Qytetarët në Serbi janë të vetëdijshëm se çka do të thoshte vënia e sanksioneve, sepse e kanë përjetuar në krahët e tyre në 30 vjetët e fundit”, ka thënë Baxhaku.

Së fundmi, “Demostat” po ashtu publikoi informacionet se më shumë qytetarë të Serbisë do të reagonin ndaj vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë sesa pranimit të marrëveshjes mbi Kosovën.

“Kur bëhet fjalë për sjelljen karshi Rusisë, ajo qasje lidhet me deklaratat e zyrtarëve, por po ashtu edhe ‘interesat kombëtare e ekonomike’ të shtetit. Së pari, ka frikë që vënia e sanksioneve ndaj Rusisë mund të prekë ndryshimin e pozicionit mbi anëtarësimin e Kosovës në OKB, dhe siç besohet, më pas Rusia s’do të përdorte veton, që do të thoshte pranim automatik i Kosovës në OKB”, ka thënë tutje Baxhaku.

Në anën tjetër, sipas tij, Serbia ka lidhje të fuqishme ekonomike me Rusinë dhe varet nga gazi e vajrat ruse, e se çdo pengesë në këto raporte do të shkaktonte pasoja serioze e afatgjate për Serbinë.

Në pyetjet tjera, në këtë sondazh, vetëm 39 për qind e qytetarëve kanë pranuar se do të dilnin të votonin këtë të diele, po që se do të mbaheshin zgjedhjet në Serbi. Partia e Vuçiqit, sipas rezultateve do të dilte fituese me 46 për qind, ndërsa SPS-ja e Daçiqit e dyta me 10.8 për qind.

Presioni ndërkombëtar është rritur dukshëm mbi Kosovën dhe Serbinë për pranimin e planit evropian. Një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se në janar i është ofruar qasja “lëre ose merre” nga ndërmjetësit për këtë çështje.