Arbëri

Diplomati serb: Kur Rusia ka interesat e saj, Serbinë e vë në plan të dytë

Descriptive Text

Ish-ambasadori i Serbisë në Francë, Radomir Dikliq, ka komentuar deklaratat e ambasadorit të Rusisë në Serbi, Aleksandar Bochan-Kharchenko, i cili ka deklaruar se Beogradi zyrtar nuk duhet të pranojë planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë.

Sipas Dikliq qëndrimet e ambasadorit rus përfaqësojnë qartë ata të cilët në Serbi çmojnë se duhet refuzuar planin franko-gjerman, i cili tashmë është zyrtarisht plan i Bashkimit Evropian (BE), me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Ai ka theksuar se Moska mbështet të gjithë ata të cilët janë për mospranimin e planit të ofruar, pavarësisht çmimit që do të paguajnë qytetarët e Serbisë.

“Rusia, përmes ambasadorit të saj, deri më tani ka mbështetur më qartë dhe më hapur të gjitha pjesët pro-ruse të shoqërisë serbe, qofshin ato parti politike në tërësi apo pjesë e anëtarësisë së tyre, Kishën Ortodokse Serbe, një pjesë të intelektualëve dhe elitës qytetare…”, ka thënë Dikliq në një intervistë për Danas.

Mirëpo sipas tij historia e marrëdhënieve serbo-ruse është plot me zhgënjime të Serbisë me qëndrimin e Rusisë.

“Për mua, më interesant është konstatimi i ambasadorit Bocan-Kharchenko se ‘problemi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të zgjidhet pas përfundimit të luftës në Ukrainë, të cilën Rusia – natyrisht – do ta fitojë’. Shtrohen disa pyetje: Edhe po të jetë kështu, a do të thotë kjo një Jaltë e re? A do të thotë kjo se Serbia duhet të sakrifikojë të ardhmen e saj të afërt për shkak të ‘të ardhmes së ndritur’ të pasigurt të cilën e ofron Rusia? Do të kishte këtu edhe pyetje të tjera. Vetëm po rikujtoj se historia e marrëdhënieve serbo-ruse është plot me zhgënjime të Serbisë me qëndrimin e Rusisë, kur interesat ruse ishin në pikëpyetje. Serbët përherë do të shkonin në plan të dytë”, është shprehur Dikliq./ KDP