Arbëri

BE-ja nuk flet për vërejtjet në kushtet e Kurtit

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i është përgjigjur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me pyetjen se pse në Serbi nuk po krijohen asociacione njëetnike kur shumë komuna udhëhiqen nga kryetarë joserbë, teksa për serbët në Kosovë po e kërkon një të tillë. Derisa BE-ja nuk ka folur as të enjten vërejtjet që ka në kushtet e paraqitura nga Kurti për themelimin e Asociacionit, në Kosovë është kërkuar diskutim më i gjerë mbi to dhe planin evropian

Vërejtjet e Bashkimit Evropian për kushtet e vendosua nga kryeministri Albin Kurti për themelim të Asociacionit nuk janë zbuluar as të enjten.

Qeveria e Kosovës një ditë më parë kërkoi që përgjigjet të merren nga BE-ja.

“Bashkimi Evropian ka vërejtjet e saj në dy kushte, por se cilat janë ato dhe pse ka vërejtje mund ta pyesni z. Lajçak kur është në Prishtinë”, ka thënë të mërkurën, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Por gjatë ditës së enjte, Bashkimi Evropian nuk ka treguar se cilat janë vërejtjet dhe arsyet pse ato kushte janë të papranueshme për të si ndërmjetës në dialog.

Për vërejtjet që ka marrë, të enjten nuk ka folur kryeministri Albin Kurti. Por, ka paraqitur një tabelë të komunave në Serbi që udhëhiqen nga kryetarë joserbë, derisa ka pyetur se pse atyre nuk iu mundësohet një asociacion njëetnik.

“Minoritete në Serbi zyrtarisht llogariten 21 sosh: kroatët, bunjevcët, bullgarët, boshnjakët, shqiptarët, hungarezët, romët, rumunët, rusinët, sllovakët, ukrainsët, lidhja hebreje, ashkalinjtë, vllehët, grekët, egjiptianët, gjermanët, sllovenët, çekët, maqedonët, malazezët. 11 komuna në Serbi udhëhiqen nga kryetarë joserbë. Asociacione një-etnike komunash do të mund të formonin hungarezët, boshnjakët, shqiptarët dhe bullgarët. Pse Serbia nuk ua mundëson këtë, përderisa e kërkon një gjë të tillë në Kosovë?” ka shkruar Kurti.

Kurtit i është kundërpërgjigjur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e quajtur arrogant.

“Ai nuk ka çfarë të diskutojë për Serbinë qendrore, ne kemi një temë që po diskutojmë dhe kjo është e vetmja temë në tavolinë. Por, kur dikush mendon se ka të drejtë të bëhet arrogant, sepse i ka shefat e mëdhenj dhe të fuqishëm. Këto nuk ndezin tek unë dhe me asnjë tjetër që është serioz në punën e vet”, është shprehur Vuçiq.

Javën e kaluar, kryeministri Albin Kurti paraqiti gjashtë kushte, të cilat, sipas tij, duhet të plotësohen për t’i hapur rrugë themelimit të Asociacionit. Në mesin e tyre, edhe ajo që marrëveshja për AKS-në të zbatohet pas njohjes nga Serbia.

Vërejtje për qasjen ndaj kushteve të vëna nga kryeministri Kurti e për propozimin evropian, ka Adelina Hasani, njohëse e politikave ndërkombëtare. Ajo ka thënë se mostransparenca në procesin e dialogut e zhvillimet e fundit mund të paraqesin probleme.

“Lëvizja e asaj, pra që ne kemi e paraqesim kushtet kryesore të cilat nuk do ta cenonin integritetin territorial të Kosovës janë disa hapa pozitive do të shohim se cilat do të pranohen por gjithsesi duhet të ketë diskutim. Duhet të ketë një diskutim edhe në nivel më të gjerë, ku do të përfshiheshin grupe të ndryshme, por konsideroj se është proces pozitiv që e kemi parë kohëve të fundit që është duke ndodhur”, ka thënë Hasani.

Pas diskutimit që është bërë javë më parë për formimin e Asociacionit, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, të enjten mbrëma ka organizuar një pritje për pjesëmarrësit e diskutimit.