Arbëri

Opozita thotë se nuk e përkrah nismën e ministres Hajdari

Kuvendi i Kosovës ka shqyrtuar në parim projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit për të cilin ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka thënë se ka për qëllimin fuqizimin e konsumatorit. Por, nga Partia Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se nuk do të mbështesin përkohësisht asnjë nismë që vjen nga ministrja Rozeta Hajdari.

Ky projektligj është bartur në seancën e ardhshme për shkak të mungesës në votim.

“Qëllimi i këtij projektligji është fuqizimi për rol aktiv në treg që ushtron të drejtat dhe fuqinë e tij/saj të zgjedhjes së mirinformuar në blerjen e mallrave dhe shërbimeve të pranuara. Politikat e mirëfillta të hartuara dhe zbatuara për mbrojtjen e konsumatorit i mundësojnë atyre të bëjnë zgjedhje të mirinformuara duke ndikuar pozitivisht në krijimin e një konkurrence të shëndosh dhe rritje të qëndrueshme. Plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për mbrojtjen e konsumatorit synon pra që konsumatori të fuqizohet dhe të luaj rol aktiv gjë që kërkon forcimin e besimit të konsumatorëve në blerjen e mallrave dhe shërbimeve”, ka thënë ajo.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka thënë se nuk do të votojnë asnjë nismë që vjen nga ministrja Hajdari e cila sipas tij i ka sjell dëm material dhe juridik sektorit të tregtisë, industrisë dhe ndërmarrësisë.

“Ajo çka është substanciale që grupi jonë parlamentar nuk mund ta mbështetë ligjin është se ne tashmë kemi të deponuar tash e disa kohë ndoshta muaj një draft rezolutë për të cilën ne kemi kërkuar dhe kërkojmë shkarkimin e ministres Hajdarin mbi faktin dhe argumentet që shkeljet që ka bërë në kuadër të ministrisë, veprimet e menaxhimit jo në nivel tash e dy vjet kjo ministri udhëhiqet nga ushtrues detyre të sekretarëve dhe dikastereve andaj nuk mund të mbështesim përkohësisht asnjë nismë ligjore që vije nga ministrja e papërgjegjshme dhe e pa kompetencë duke pas mbi vete dhe barrë dënime të gjykatave. Grupi jonë parlamentar nuk do të jetë pjesë e asnjë votimi ,asnjë nisme të kësaj mistrie e cila i ka sjell dëm material dhje juridik sektorit të tregtisë, industrisë dhe ndërmarrësisë”, ka thënë Shala.

Për këtë ka folur edhe deputeti Besian Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“E konsideroj të paimagjinueshëm që në Kuvend të Republikës së Kosovës të lejohen të sjellën ligje një ministre e dënuar nga gjykata e Republikës së Kosovës për fshehje të pasurisë dhe një ministre që është në proces gjyqësor për shkeljen e një fëmiu nëntë vjeçar, të paktën kështu pretendohet. E kam të pamundur ta imagjinoj se kjo po ndodh në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërsa ministrja Hajdari ka thënë se këto nuk janë të vërteta dhe se për çështje të tilla do të përgjigjet në mocionin e thirrur.

“Të gjitha këto që i dëgjoj ju do ta keni mocionin që do ta diskutojmë por të gjitha janë të pavërteta, deklarimet e zotit Shala po ashtu edhe Besian Mustafa do të ju përgjigjem në mocionin që do të diskutohet”, ka thënë ajo.