Arbëri

Dyshime për dëmtim të buxhetit me 9 mln euro, KPMM: Ka ndryshime të llogaritjes së rentës minerale

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, ka reaguar pas akuzave se po dyshohet që ka dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej nëntë milionë eurosh. Ky komision ka thënë se dyshimet nuk kanë të bëjnë me një borxh të kësaj shume, por për një ndryshim në mënyrën e llogaritjes së rentës minerale nga periudha e hyrjes në fuqi të një udhëzimi administrativ të vitit 2011.

Në një përgjigje për KOHËN nga KPMM-ja është thënë se Bordi e ka paraparë të logjikshme që këtë shumë prej nëntë milionësh t’ia inkasojë operatorit, për të cilin thuhet se është nën pronësinë e një qytetari nga Shqipëria.

“Dyshimet nuk janë për një borxh prej 9 milionësh, por për një ndryshim (diferencë) në mënyrën e llogaritjes së rentës nga periudha e hyrjes në fuqi e U. Administrativ nr. 01/2011, andaj Bordi e ka paraparë të logjikshme që këtë shumë (jo borxh) t'ia inkasojë operatorit me të cilën iu është bartur përgjegjësia nga data e marrjes së operatorit në fjalë d.m.th. nga periudha e vitit 2018-2022”, thuhet në përgjigjen e KPMM-së.

Ky komision nuk e ka mirëpritur rekomandimin për shkarkimin e Bordit, duke thënë se aktualisht pritet të ndërmerret një veprim, për të parë më pas nëse do ta kundërshtojnë atë ose jo.

Komisioni parlamentar për Ekonomi në janar i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës shkarkimin e këtij bordi. Kjo nismë është iniciuar nga deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, që është anëtar i Komisionit për Ekonomi.

“Ka pasur moszbatim të Udhëzimit administrativ për rentën minerare. Pra, auditori i brendshëm i këtij komisioni ka gjetur që ndërmjet vitit 2011 dhe 2021, ndërmarrja nuk ka raportuar sipas udhëzimit administrativ. Po ashtu, KPMM-ja e ka themeluar një komision profesional për ta verifikuar atë gjendje dhe ky komision saktësisht ka gjetur se që nga viti 2011 ndërmarrja nuk ka raportuar sipas detyrimeve që kanë qenë në kuadër të Udhëzimit administrativ për rentë minerare. Çuditërisht gjatë kohës sa Kuvendi ka qenë në pushim, gjatë verës, janë mbledhur prapë dhe ia kanë hequr atë detyrim pa marrë ndonjë shpjegim”, ka thënë deputeti i LVV-së, Armend Muja.

Rekomandimin për shkarkim e ka mbështetur edhe kryetari i Komisionit, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, por që kritikon Vetëvendosjen se ky bord është emëruar pikërisht nga Qeveria aktuale. Shala thekson se bordi është i involvuar në disa situata të kundërligjshme.

Ndërkaq, anëtarja tjetër e Komisionit për Ekonomi, Valentina Bunjaku, deputete nga LDK-ja, nuk është pajtuar që të shkarkohen të gjithë anëtarët e këtij bordi. Bunjaku ka kërkuar që dy anëtarët tjerë të Bordit, që kanë punuar për interesat e shtetit, në këtë rast për mosfaljen e rentës minerare, të mos shkarkohen.

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka lëshuar të martën edhe një reagim publik. Ky komision ka thënë se po bëhet një herezi e hapur vetëgjykuese ndaj Bordit nga dy-tre deputetë të Kuvendit.

“Neve si anëtarë të Bordit që nga emërimi në detyrë, problemi i parë i rëndësishëm që është paraqitur para nesh është Raporti i Auditorit të Brendshëm të KPMM-së i cili vjen në përfundim se ndërrmarrja e mineraleve metalike me pronar të huaj përgjatë viteve nuk ka paguar Rentë Minerare në përputhje me UA 01/2011. Bordi ka analizuar Raportin e Auditorit dhe ka aprovuar raportin e njëjtë duke lejuar vazhdimin e procedurave të mëtutjeshme. Menaxhmenti i KPMM-së ka krijuar një komision profesional për të verifikuar dhe konstatuar gjendjen e raportimeve të ndërmarrjes nga periudha prej 2011 deri më 2018 dhe prej 2018 deri më 2021”, thuhet në reagim.

Më tej thuhet se komisioni me të përfunduar raportin ka konstatuar të gjeturat e auditorit se ndërmarrja nuk ka kryer obligimet e rentës minerare në perputhje me udhëzimin administrativ 01/2011.

“Tre anëtarë të Bordit nuk e përkrahin rekomandimin e Komisionit për Faljen e obligimeve të ndërmarrjes që ka ndaj KPMM-së. Dy anëtarë të Bordit e miratojnë rekomandimin e Komisionit për Faljen e obligimeve të ndërmarrjes. Përfaqësuesi ligjor i Ndërmarrjes në vitin 2018 nga KPMM është njoftuar se nuk ka obligime për rentë minerare. Në bazë të Ligjit për Miniera dhe Minerale si dhe në bazë të Ligjit për Investime të Huaja Nr. 04/L-220 Bordi me tre vota ka marrë vendim që të obligojë ndërmarrjen që të kryej pagesën e rentës minerare nga viti 2018 e deri më sot, gjithashtu ka kërkuar nga Menaxhmenti që të marrin masa ndaj zyrtarëve të cilët janë audituar dhe nuk kanë vepruar në përputhje me Ligjin dhe UA 01/2011. Ndërmarrja e ka pranuar obligimin dhe paguan rentën minerare në përputhje me LMM dhe UA 01/2011 që asnjëherë në të kaluarën nuk e kishte respektuar”, thuhet më tej në reagim, duke shtuar se është e pakuptimtë dhe të qëllimshme prirjet se Bordi ka dëmtuar buxhetin e shtetit.