Arbëri

Rimëkëmbja nga “cunami”

Disa fshatra që shtrihen përgjatë brigjeve të Klinës kanë pësuar dëme të mëdha prej vërshimeve të ngjashme, që nuk mbahen mend në këtë rajon, thonë qytetarët e zyrtarët lokalë

“Unë besoj se kalojnë edhe këto, kemi përjetuar luftën, kemi pasur raste të rënda kur kemi bartur me duar kufoma e kemi pasur të zhdukur”, thekson Xhafer Murtezaj në “Lagjen Murtezaj” në hyrje të Skenderajt. Familjet e 22 shtëpive po vazhdojnë përpjekjet për riparimin e dëmeve. “Fati i madh ka qenë që viktima nuk ka pasur”. Por dëmet ende nuk dihen saktësisht. Pakkush po e ndien dorën e vërtetë të shtetit e Qeveria qendrore u akuzua për mosreagim. Kur pyetet për inatet ndërpartiake, kryetari i Skenderajt thotë se gjatë fatkeqësive të mëdha “bien partitë politike”. Realiteti flet ndryshe në terren

Ende pa nisur meremetimin e katit të dytë të shtëpisë, për të cilën familja e Sadik Murtezajt punoi gjatë tërë viteve të pasluftës, është shtrënguar ta hedhë në mbeturina laminatin e katit të parë.

Fëmijët i ka strehuar te një i afërm në Drenas, derisa me gruan po punon përditë në përpjekje për ta bërë të banueshme shtëpinë në “Lagjen e Murtezajve” në Skenderaj.

“Vërshim i hatashëm”

“Shumë shpejt ka ardhë. Vërshim i hatashëm u kanë. Na ka marrë edhe përpara, por qeshtu nuk mbahet mend”, thekson Mustafë Murtezaj, derisa shkëputet për pak nga pastrimi i përdheses së shtëpisë dykatëshe, jo fort larg bregut të lumit Klina.

Nuk është i sigurt nëse edhe orenditë e qullura mund të përdoren përsëri, ani pse i zoti dhe e zonja e shtëpisë po bëjnë përpjekje maratonike për të shpëtuar diçka prej orendive të njërës prej 22 shtëpive të vërshuara të “Lagjes së Murtezajve” në hyrje të Skenderajt.

Murtezajt thonë se shtëpia me themele mbi një metër u përmbyt brenda gjysmë ore, saqë u desh t’i nxirrnin me tre buldozerë, derisa po strehoheshin në katin e dytë.

Dy shtëpi më lart, nipat e Mustafë Murtezajt në Gjermani po heqin dyshemenë pasi ka nisur të kundërmojë shtëpia nga lagështia. Ata nuk duan të flasin.

Edhe disa fshatra që shtrihen përgjatë brigjeve të Klinës kanë pësuar dëme të mëdha prej vërshimeve të ngjashme, që nuk mbahen mend në këtë rajon, thonë qytetarët e zyrtarët lokalë.

“E kemi tejkalu atë fazën që ka qenë super emergjente”, thekson Fadil Nura, kryetar i qytezës së Drenicës. Ai thotë se komuna ka nisur pranimin e kërkesave për vlerësimin e dëmeve. “Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha”.

Sikur se familja e Sadik Murtezajt, që po qëndron në shtëpinë e një të afërmi në Drenas, ka edhe shumë e shumë familje të tjera të prekura nga vërshimet në rrethinën e Skenderajt, thotë kryetari Nura. Ai thotë se pjesa më e madhe e familjeve të prekura në qytet janë vendosur në katet e dyta.

Pos pronave private, vërshimet kanë prishur edhe rrugë e ura, duke dëmtuar njëherësh edhe objektet publike, sikurse janë shkollat.

Image
Pos pronave private, vërshimet kanë prishur edhe rrugë e ura, duke dëmtuar njëherësh edhe objektet publike, sikurse janë shkollat

Sherri i pykës!

Xhafer Murtezaj thotë se Klina gjithnjë është dalluar për rrjedhën e rrëmbyeshme, porse nuk kishte shkaktuar dëme të ngjashme materiale.

“Fjala Klinë, shumë e vjetër, do të thotë pykë, pykë. Ky lum e ka burimin shumë larg, 24 a 25 kilometra prej këtu a më shumë”, thotë Murtezaj pranë shtratit të lumit që lag tokat e Murtezajve. “E ka rrjedhën shumë të rrëmbyeshme”.

Xhafer Murtezaj beson se Klina doli nga shtrati për shkak të ndërhyrjeve në shtrat e hedhjes së mbeturinave.

Nura thotë se institucionet qendrore e kanë njoftuar se derdhja e një pjese të ujit të liqenit të Ujmanit ka ndikuar në daljen e Klinës nga shtrati.

Komuna ka bërë të ditur se deri në mesjavë janë mbledhur më shumë se 130 mijë euro donacione për ndihmë ndaj qytetarëve të prekur nga përmbytjet. Ka pasur kritika se Qeveria qendrore nuk ka ofruar mbështetjen e nevojshme për riparimin e dëmeve.

Kryetari Nura, i cili ka shoqëruar kryeministrin Kurti gjatë një vizite në Llaushë, ka thënë se në raste të ngjashme bien të gjitha dallimet partiake e politike.

“Unë i kuptoj edhe komentet e ndryshme, qoftë të këtij apo të atij krahu politik, por në raste të tilla ka qenë një situatë lufte dhe në situatë lufte bien partitë politike”, thekson Nura. “Kështu që unë nuk mund të paragjykoj pse kryeministri ka ardhur me vonesë”.

Lumi i kujtimeve

Xhafer Murtezaj na shoqëron nëpër oborret e disa prej shtëpive të Murtezajve, duke evidentuar dëmet e shkaktuara.

“Uji i rrëmbyeshëm ka bartur gjithçka, duke shkatërruar gjithçka. Çdo gjë që e ka kapë përpara, e ka shkatërruar”, thekson Murtezaj me çizme llastiku, pasi oborri ende është krejtësisht i përbaltur pas tërheqjes së ujit. “Jeta vazhdon, duhet me fillu e me gjallëru”.

Vazhdon drejt oborrit e shtëpisë së vëllait të madh. Orenditë e katit të parë janë hedhur para shtëpisë. Shumica prej tyre janë të papërdorshme. Ka edhe lodra të Shendit dhe Stinës së vegjël, të cilët e shoqërojnë Xhafer Murtezajn. Kur hap derën, në përdhese ende ka baltë.

Një tjetër nip i tij do të rrezikonte veten për ta shpëtuar qenin. Murtezajt i bëhet qejfi që qeni tash është shëndosh e mirë. Te makina e tij, e prishur nga vërshimet, thotë se të gjitha dëmet riparohen, porse me rëndësi që “nuk pati asnjë viktimë e asnjë nënë nuk ka qajtë në këtë fatkeqësi”.

“Unë besoj se kalojnë edhe këto, kemi përjetuar luftën, kemi pasur raste të rënda kur kemi bartur me duar kufoma e kemi pasur të zhdukur”, thekson ai. “Fati i madh ka qenë që viktima nuk ka”.

Megjithatë, Xhafer Murtezaj thotë se fatkeqësitë duhet të bëhen shkas për të kujtuar edhe momente të mira të së kaluarës.

“Bash këtu ka qenë një pus, i thoshim pusi i rudinave, jemi la, kemi lu. Skenderaj vonë është ba”, thotë Murtezaj në bregun e lumit të qetësuar, teksa kthehet në kohën e fëmijërisë.

Ia rrëfen edhe nipit të vëllait, Shendit. “Ka qenë lum i njohur me peshq”, i thotë Shendit. “Ka qenë një pus ku jemi la me gjyshin tan. Ka qenë një kohë shumë e mirë. Ju tash po laheni në pishina. Na atëherë nuk kemi pasur pishina”.

Uron që Shendi, pos kujtimeve të tmerrshme që do t’i ruajë prej përmbytjeve të fundit, të ketë edhe kujtime të mira prej lumit. Shumë lodra ia ka marrë uji, por Shendi është i lumtur që i shpëtoi qeni i dashur. Edhe Supermeni lodër.