Arbëri

Serwer - Cholletit për takimin me Daçiqin: Të gënjesh vetveten nuk është politikë e mirë e jashtme

Analisti amerikan dhe eksperti për Ballkan, Daniel Serwer, i ka reaguar këshilltarit të lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Cholletit, që në Twitter njoftoi për takimin me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, për të cilin tha se “u rikonfirmua miqësia e kahershme SHBA-Serbi” dhe se janë diskutuar përpjekjet për promovim të paqes e sigurisë në rajon.

“Të gënjesh vetveten nuk është politikë e mirë e jashtme”, ka qenë komenti i Serwerit për postimin e Cholletit.

“Në vazhdimësinë e telefonatës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, me presidentin serb, Aleksandër Vuciq, takim i mrekullueshëm me Ministrin e Jashtëm serb Daçiq. Ai rikonfirmoi miqësinë e kahershme mes nesh dhe shprehu mbështetjen për angazhimin e Serbisë në dialogun me Kosovën dhe përpjekjet për të promovuar paqe/siguri më të madhe në rajon”, pati shkruar Chollet për takimin me Daçiqin.

Pos Cholletit, edhe sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka njoftuar se ka zhvilluar bisedë telefonike me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq të mërkurën.

Përmes një postimi në Twitter, Blinken ka bërë të ditur se temë e bisedës ka qenë dialogu Kosovë-Serbi, përkatësisht propozimi i BE-së, i njohur si plani franko-gjerman.

“Fola me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për ta falënderuar për angazhimin e tij konstruktiv me ekipin e SHBA-së dhe BE-së javën e kaluar dhe për hapjen e tij ndaj propozimit të BE-së për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, i cili është thelbësor për sigurimin e së ardhmes evropiane të Serbisë”, ka shkruar Blinken në Twitter.