Arbëri

Krasniqi: Sonte vetëm Kurti mund ta bëjë gjumin i qetë dhe i lumtur

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se vendimi i Qeverisë që koeficienti të ketë vlerë prej 105 eurosh, është thirrje për rritje të numrit të qytetarëve që dëshirojnë të largohen nga vendi.

Krasniqi ka thënë në një postim në Facebook se me këtë vendim, vetëm kryeministri Kurti mund ta bëjë gjumin i qetë dhe i lumtur, duke shtuar se ai ia ka rritur pagën vetes.

“Për më tepër, ky vendim është thirrje për rritje të numrit të atyre qytetarëve që dëshirojnë të largohen nga vendi dhe, rrjedhimisht, përcaktim për dëmtimin e ekonomisë dhe funksionalitetit të shtetit tonë. ‘T’ia rrisësh pagën vetes është hajni, është vjedhje’ – thoshte Kryeministri Kurti me 1 mars të vitit 2018. Ndërsa sot, ai rriti pagën e tij në 1785 euro. Pra sipas gjuhës së tij, ai bëri vjedhje. Sonte, nëse asnjë qytetar tjetër i vendit, të paktën ai mund ta bëjë gjumin i qetë dhe i lumtur, sepse mirëqenia e tij është përmirësuar”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij, përmes këtij vendimi, Qeveria e Kosovës dhe Kurti i kanë dhënë edhe një goditje të gjithë qytetarëve të Kosovës që punojnë në sektorin publik.

“Ajo që po proklamohet si rritje, në fakt është manipulim dhe lojë fjalësh. Ku thirren në rritje, nuk ka kujdestari, shujta, meditje, bonuse dhe ka mashtrime të krahasimeve bruto dhe neto. Ku nuk ka rritje, ka zbritje të ndjeshme dhe degradim të profesioneve e pozitave të rëndësishme të shtetit. Para se gjithash, ky vendim i Qeverisë, cenon mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, atyre që me punën e tyre të dinjitetshme dhe të palodhshme mbajnë gjallë dhe në këmbë funksionimin e shtetit tonë”, është shprehur Krasniqi.

Koeficienti me vlerë prej 105 eurosh i bërë publik të mërkurën nga Qeveria e Kosovës ka shkaktuar reagimin e shumë punonjësve publikë dhe sindikatave, të cilat kanë paralajmëruar masa ndaj Ligjit për Paga.