Arbëri

Rashiq për Asociacionin: Duhet të jemi proaktivë, s’mund të flas në emër të kryeministrit

Nenad Rashiq - konferenc

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë se takimi në Ambasadën amerikane ku u diskutua për çështjen e Asociacionit ishte produktiv dhe në një nivel të lartë serioziteti.

Ai ka thënë se mbështet inicimin e proceseve duke shtuar se nuk mund të flasë në emër të kryeministrit Albin Kurti apo të ministrave.

Në një konferencë për media, Rashiq ka thënë se takimi në Ambasadë ka pasur peshë të madhe politike.

“Takimi ka qenë produktiv dhe unë e shoh që ka pas një dimension të nivelit të lartë të seriozitetit, sepse konsideroj që ka pasur mbështetje në një organi për ne kaq politikisht të them aq me ndikim siç është Ambasada Amerikane. Edhe pse takimi nuk ka pasur ndoshta ndonjë përmbyllje teknike, por në veçanti ka pasur peshë politike. Kështu që e vlerësoj si një takim pozitiv shumë më të mirë se takimet paraprake të cilat kam qenë pjesëmarrës, e vlerësoj si akt pozitiv”, ka thënë ai.

Rashiq ka thënë se çdo dokument që është draft nuk është diçka përfundimtare dhe të tilla mund edhe të mos pranohen.

“Duhet të kuptoni saktë që secili dokument që është draft do të thotë versioni në përpunim, kjo nuk është diçka përfundimtare, po thotë është diçka fillestare, është një propozim, është një ide e cila mund të pranohet por mund të mos pranohet asnjë pjesë e saj. Prandaj siç kam thënë më herët krejt ky është proces, unë jam për inicim të proceseve, inicim të proceseve që do të thotë të bëjmë ne në mënyrë proaktive që të shkojmë, si të them, përballë sfidave, jo të presim që të ndodhin dhe të reagojmë në defensivë. Por unë jam njeri që konsideroj që proaktiviteti në këtë rast është mënyra e suksesit”, ka thënë Rashiq.

Ai ka thënë se e mbështet inicimin e proceseve dhe sipas tij, proakiviteti është mënyra më e mirë në këtë rast.

“Unë e kam mendimin që duhet të jemi proaktivë në secilin prej problemeve, a është po ashtu i njëjtit mendim kryeministri apo ministrat unë nuk mund të flas në emrin e tyre sepse është bindja ime që duhet të jemi proaktivë. Nuk e specifikoj në cilën formë por zakonisht mendoj që proaktiviteti është mënyra më e mire”, ka thënë Rashiq./KSP