Arbëri

Vlera e koeficientit pritet të rritet vitin e ardhshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhje të Qeverisë së Kosovës ka treguar se vlera e koeficientit të pagave në sektorin publik për këtë vit do të jetë 105, ndërsa nga janari i vitit 2024, sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave, pritet të jetë 110.

“Pas këtij procesi voluminoz e shumë kompleks, kemi arritur te vlera e koeficientit për vitin 2023 që është 105, e nga janari i vitit 2024, sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave e Transfereve, ai do të jetë 110. Me këtë plotësim ndryshim të ligjit të buxhetit, i hapet rrugë sistemit të ri të pagave në Republikën e Kosovës prej këtij muaji. Me këtë sistem të ri e vlera të reja të kompensimeve, kemi arritur disa objektiva bazë. Barazi dhe ndershmëri për pagat mes kategorive, ngushtim të hendekut mes zyrtarëve të lartë e tjerëve, e mbështetje solide për katër kategoritë jetike për funksionim shoqërisë, mjekët, arsimtarët, policët e ushtarakët”, tha Kurti.

E ministri i Financave, Hekuran Murati, po ashtu ka thënë se sipas parashkimeve për rritje ekomomike, pritet që vitin e ardhshëm vlera e koeficientit të jetë 110 euro.

“Konsideroj se është bërë punë e mirë e po vihet në vend një sistem, që mundëson rregullimin e drejtë e të barabartë për pagat e të gjithë shërbyesve civilë, e na mundëson ne që të kemi planifikim më të saktë, për vitet në vijim e të ketë lëvizje të vazhdueshme, siç e thatë edhe ju kryeministër për vitin 2024, parashihet koeficienti, varësisht nga kalkulimet që kemi bërë për rritje ekonomike të këtij viti, presim të jetë në vlerën e 110 euro”, tha Murati, i cili tha se është koeficient i pastër pa llogaritur shtesat.