Arbëri

Vetëdemantohet SHSKUK-ja, nuk ka furnizim me barna në masë 98 për qind

Barnatore Qendrore - SHSKUK

Katër ditë më parë SHSKUK-ja lëshoi një komunikatë shtypi sipas së cilës furnizimi me barna në vitin 2022 ka qenë në shkallën 98 për qind. Por, të dhëna të tjera kanë paraqitur në Barnatoren Qendrore. Pas pyetjeve të KOHËS, ka pranuar se në klinika mungonin shumë barna.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës të premten është munduar ta bindë publikun se vitin e kaluar pacientët që kanë marrë shërbime në këtë institucion i kanë pasur pothuajse të gjitha barnat e nevojshme.

Në një komunikatë për media theksohej se furnizimi me barna, duke përfshirë edhe produktet për trajtimin e kancerit, ishte 98 për qind, ndërsa me material shpenzues akoma më mirë – rreth 98.50 për qind.

Por, këtë statistikë e demantojnë të dhënat zyrtare.

Të hënën në mëngjes KOHA përmes pyetjeve të përbashkëta e ka kontaktuar Bordin e SHSKUK-së, Drejtorinë e SHSKUK-së, Zyrën e Informimit në SHSKUK, shefen e Barnatores Qendrore e Kabinetin e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia. Nga të gjitha hallkat një sqarim konfuz ka dhënë vetëm Barnatorja Qendrore, ndërsa hallkat e tjera nuk janë deklaruar nëse besojnë në këto të dhëna.

Në përgjigjen e Barnatores Qendrore pranohet se në statistikë nuk janë përfshirë të gjitha barnat që i nevojiten QKUK-së.

“Disa produkte nuk mund të kontraktohen si pasojë e dështimit në procedura të prokurimit, ndërsa ka edhe produkte për të cilat ka vonesa në liferim nga ana e OE (Operatorëve Ekonomikë).Të gjitha procedurat që kanë të bëjnë me vonesat në liferim janë në fushëveprimin e Zyrës së Prokurimit. Aktualisht furnizimi është duke u përmirësuar vazhdimisht me liferimet në të cilat janë duke u realizuar në baza ditore”, thuhet nga Barnatorja Qendrore e SHSKUK-së.

Pas përgjigjes KOHA ka kërkuar nga ky institucion listën e produkteve për të cilat nuk ka kontrata dhe të cilat nuk i kanë sjellë operatorët ekonomikë. Por, një listë të tillë nuk e ka ofruar.

Javë me parë KOHA ka siguruar listat e mungesave me barna e material shpenzues për SHSKUK-në.

Pa përfshirë spitalet, ishin mbi 100 produkte – barna e material shpenzues – që mungonin vetëm në QKUK.

Gjatë gjithë vitit është raportuar për mungesa të produkteve mjekësore, që më të theksuarat kanë qenë në klinikat e SHSKUK-së. Mungesa kishte edhe në material higjienik.