Arbëri

Drejtori i FES-it: Propozimi ynë nuk parasheh Asociacion me kompetenca ekzekutive

Drejtori i “Friedrich Ebert Stiftung” për Kosovë e Maqedoni të Veriut, Rene Schlee, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të jetë me kompetenca ekzekutive, nëse themelohet sipas propozimit të statutit të publikuar nga fondacioni të hënën.

Schlee në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se Fondacioni ka filluar së punuari për statutin për afro një vit dhe se është bërë edhe në bashkëpunim me Institutin Evropian për Paqe.

“Por për ne, çështja është se nëse duam ta zbatojmë këtë marrëveshje të Brukselit dhe ka arsye të mirë për të zbatuar si formë e përgjegjësive ndërkombëtare të Kosovës. Sepse në fund të fundit, Kosova është duke kërkuar të jetë një shtet tërësisht i njohur në komunitetin ndërkombëtar. Dhe nëse thoni: ‘po do ta zbatojmë këtë marrëveshje’, atëherë si mund ta zbatojmë më së miri. Sepse edhe unë ndaj disa nga brengat që janë sa i përket marrëveshjes së Brukselit. Ju e përmendët Republikën serbe në Bosnjë, le të them, në opinionin tim personal, nuk e shikoj modelin e Republikës serbe në Bosnjë dhe të them ‘në rregull, ky është modeli i një tregimi të suksesshëm’ që duam ta përsërisim në Kosovë. Përkundrazi. Nëse shikoni propozim-draftstatutin tonë në mënyrë konkrete, ju do të gjeni masat mbrojtëse për mos të ndodhur një gjë e tillë. Dhe përgjigje e rëndësishme ndaj këtyre zërave që brengosen rreth kësaj marrëveshje është që statuti që ne kemi draftuar nuk parasheh kompetenca ekzekutive, nuk ka pushtet të tretët të qeverisjes, s’ka shtet brenda shtetit por është asociacion i komunave dhe si i tillë në asnjë mënyrë nuk minon konceptet bazike legale të sistemit rregullues së tanishëm legal të Kosovës”, ka thënë Schlee.

Schlee ka thënë se propozimi që kanë bërë i merr seriozisht brenga e shoqërisë, të qeverisë, të partive të ndryshme politike, dhe po ashtu të banorëve që preken nga ky Asociacion.

Ai ka thënë se me statut të propozuar nga FES-i rregullohet qartë se çfarë mund të financojë Serbia e çfarë jo.

“Ne kishim një proces të plotë të draftimit të këtij statuti, por natyrshëm që duam t’ia prezantojmë opinionit publik dhe të dëgjojmë më shumë. Mbase mund të ketë propozime të tjera për masa të tjera mbrojtëse dhe mendoj se nga ana e Kosovës, ky është propozim i mirë. Gjithnjë e shoh dhe pyes: cila është status-quoja e tanishme dhe si ta përmirësojmë atë. Tash për tash, për shembull një çështje që është për të pasur kujdes dhe është brengë e shpeshtë është nëse ndonjë shtete tjetër—Serbia na vjen në mend—do të ishte e gatshme për të dhënë asistencë financiare asociacionit? Po. Në statutin tonë, kjo gjë është e mundur. Por pyetja e tanishme është: shikojeni status-quonë. Serbia tani për tani po financon një sistem paralel, por çfarë bën ky statut është se e përmirëson këtë gjendje, sepse e rregullon atë, e rregullon sepse i jep mandat të qartë se çfarë është e lejuar dhe edhe më me shumë rëndësi: çfarë nuk është e lejuar. Po ashtu, brenda asaj që është e lejuar, u jep rol institucioneve të Kosovës një rol, më saktësisht Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës për të audituar dhe nëse ky asociacion është duke funksionuar siç do të duhej të funksiononte. Kështu që do të thosha se është një përmirësim dhe forcim i institucioneve të Kosovës”, ka theksuar Schlee.


Schlee: Sipas propozimit tonë, anëtarësimi në Asociacion është vullnetar

Drejtori i “Friedrich Ebert Stiftung” për Kosovë e Maqedoni të Veriut, Rene Schlee, ka thënë se sipas propozim statutit që ka bërë ky fondacion për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, anëtarësimi në një asociacion të tillë është vullnetar.

Ai ka insistuar se nuk bëhet fjalë për një pushtet të tretë.

“Ky është asociacion. Është krejtësisht vullnetar. Fillimisht anëtarësimi është vullnetar. Fushat e bashkëpunimit, gjithçka tjetër është vullnetare. Nëse e shihni draftin, nëse ndonjëra komunë apo kryetar komune nuk pajtohet me ndonjë gjë me asociacionin.. Siç thashë, nuk është një pushtet tjetër i qeverisjes që do t’i bëjë komunat të bëjnë gjëra të cilat komunat apo qytetarët nuk do të donin t’i bënin”, ka deklaruar Schlee në “Interaktiv” të KTV-së.

Sa i përket nenit 14, ku thuhet se do të krijohet një Zyrë e Apelimit të Ankesave të Asociacionit, Schlee ka thënë se kjo është menduar si siguri shtesë.

“Kjo është menduar si një siguresë shtesë. Ka të bëjë me atë që të sigurojë pushteti që i është dhënë asociacionit, e që janë në pajtim me statutin. Kuptimi im është se kjo është çfarë kemi shkruar aty dhe është në linjë me asociacionet e tjera që funksionojnë në Kosovë. Të paktën fryma e draftimit ka qenë e tillë që të sigurohemi se do të jetë në frymë me sistemin legal ekzistues. Objektivi ynë këtu ka qenë jo për të prodhuar diçka që do të dukej si reketë hapësinorë, apo një strukturë për jashtëtokësorë, por diçka çfarë tanimë ekziston ën sistemin legal të Kosovës dhe nga kjo të draftojmë diçka. Dhe natyrisht diçka që do të kishte përfundimisht një lidhje me procesin e normalizimit të marrëdhënieve në Bruksel dhe përmbushje e përgjegjësive të Qeverisë në dialog”, ka theksuar Schlee.