Arbëri

Hill: Sjellja e Serbisë konstruktive, Asociacioni është obligim

Descriptive Text

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, ka vlerësuar palën serbe si “konstruktive dhe të përgatitur”.

Hill në një intervistë në “TV Pink” ka thënë se “pala serbe ka ardhur e përgatitur në dialog”. Ai ka thënë se shpreson që ashtu të jenë të gjitha palët.

Hill ka thënë se marrëveshja përfundimtare nuk do të jetë e lehtë për asnjërën palë.

“E vlerësojmë shumë iniciativën e nisur nga evropianët për të ashtuquajturin plan franko-gjerman. Ne e shohim atë si bazë për një marrëveshje eventuale, e cila bazohet në shumë dhënie e marrje dhe nuk do të jetë e lehtë për askënd. Më duhet të them se pala serbe, ashtu si edhe më parë, erdhi e përgatitur dhe konstruktive, e shpresoj se të gjithë të mund të jenë të tillë. Jam shumë i kënaqur me mënyrën se si pala serbe po e trajton, por nuk jam në gjendje të komentojë se si po zgjidhet kjo në Prishtinë, përveçse të them se besoj se është mënyra e duhur për të zgjidhur problemin dhe e përsëris se jam shumë i kënaqur me atë se sa konstruktive është pala serbe ndaj gjithë kësaj”, tha Hill.

Ai po ashtu ka thënë se mesazhet e SHBA-së janë të qarta, se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të themelohet.

“Mendoj se SHBA-ja ishte shumë e qartë në disa raste dhe z. Escobar ishte gjithashtu shumë i qartë se mbështesim dhe besojmë se formimi i Asociacionit do të ndodhë. Nuk ishte vetëm në marrëveshje të Brukselit, e kemi edhe në pikat 1, 2, 3, 4, 5 dhe 6 në Bruksel. Është detyrim ligjor. Ata që ishin të përfshirë në marrëveshjet e Brukselit, në radhë të parë Beogradi dhe Prishtina, e kanë obligim ligjor të cilit duhet t’i binden. Kjo duhet të ndodhë. Komentet që patë nuk ishin vetëm pikëpamje e Cholletit apo Escobarit, por ajo përfaqëson politikën amerikane se kjo duhet bërë. Natyrisht se kemi punë për të bërë. Kjo është pjesa që vlen vetëm për publikun e Kosovës, por kushdo që e lexon mund ta shoh qartë se SHBA-ja e mbështet këtë dhe duhet bërë”, ka thënë Hill.

Hill ka thënë se komuniteti serb në Kosovë “e meriton ta di se si do të jetë e ardhmja e tij”.

“Komuniteti serb në Kosovë ka jetuar me shekuj e shekuj, dhe ka të drejtë ta di se si do të jetë e ardhmja. Mendoj se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është mënyra e duhur për të vazhduar dhe të gjithë ata që janë të përfshirë, ne jemi, siç janë edhe evropianët, duhet të sigurohemi që këto marrëveshje eventuale të zbatohen siç duhet. Nuk dua të flasë për garanci në këtë moment, por besoj shumë në to, pasi Amerika ka sjellë këtu reputacionin e saj e po ashtu edhe evropianët. Ne bashkëpunojmë shumë ngushtë me Evropën, nuk kemi aleatë më të mirë në të gjithë botën. Besoj se pasi të arrihet marrëveshje, ajo do të zbatohet siç duhet”.