Arbëri

Daçiqi përshëndet deklaratat e presidentit të Kroacisë për Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka folur “të vërtetën kur tha se Kosova i është marrë Serbisë”.

Daçiq për “Tanjug” tha se “me rastin e Serbisë është shkelur më së shumti e drejta ndërkombëtare”.

“Në Kosovë dhe M. është shkatërruar rendi ndërkombëtar në të cilin sovraniteti i shteteve është i paprekshëm dhe kufijtë janë të pandryshueshëm”, tha Daçiq.

Daçiq ka thënë se nuk do të hyjë në debat nëse presidenti i Kroacisë, Milanoviq, ka arsye të politikës së brendshme për të folur kështu për Serbinë dhe Kosovën.

Por, Daçiq thotë se është qëndrim i kreut të një shteti anëtar të BE-së dhe NATO-s dhe e mirëpret.

“E mirëpres si qëndrim parimor në drejtim të respektimit të së drejtës ndërkombëtare, e cila garanton paprekshmërinë e sovranitetit dhe integritetit territorial të çdo shteti”, tha Daçiq.

Të hënën, në fund të konferencës së mbajtur në Petrinja, presidenti i Kroacisë, Milanoviq, ndër tjera tha se “Kosova i është aneksuar Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar”.

“Rusët, pasi janë cinikë, do të thirren në aneksimin e Kosovës, të cilën e përkrahi”, ka thënë Milanoviq.

Kur është pyetur nga gazetarëve kush e aneksoi Kosovën, ai tha: “Komuniteti ndërkombëtar dhe ne. U mor nga Serbia. Kosova iu mor Serbisë. A e njohëm Kosovën? Po. Unë qëndroj prapa Kosovës. Kur është bërë një herë, pa dëshirën e shtetit që i takon Kosova, pra Serbisë apo Jugosllavia, e cila nuk ishte miqësore për ne e nuk shqetësoheshim për ta, ishte vetëm çështje kohe kur rusët apo të tretët do ta bënin këtë dhe e bënë. Nuk ishte aneksim, ishte kapje. Një pjesë e territorit që është nxjerrë nga Serbia. Si quhet? Nxjerrje. Nuk vë kjo në dyshim çështjen e Kosovës, por konceptin e tërë në të cilin dikush mendon se ka të drejtë për gjithçka kur i përshtatet, e kur dikush tjetër bën, atëherë është krim”.