Arbëri

Chollet dhe Escobar renditin arsyet pse duhet të themelohet AKS-ja, Qeveria hesht

Qeveria e Kosovës nuk ka komentuar vështrimin e dy zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Përmes një kolumne ekskluzive për KOHËN, këshilltari i DASH-it, Derek Chollet, dhe emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë shpjeguar çka është Asociacioni, sipas tyre, dhe për arsyet pse ai duhet të themelohet nga Kosova. Qëndrimin e SHBA-së në drejtime të ndryshme e kanë parë pushteti e opozita.

Zbatimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e kanë vlerësuar si detyrën më kritike që kanë.

Në një vështrim ekskluziv për KOHËN, Chollet dhe Escobar kanë përsëritur qëndrimin e tyre se Asociacioni nuk do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Sipas tyre, duke punuar në themelimin e Asociacionit, “Kosova do të përmbushë një element kritik të nevojshëm për ndërtimin e së ardhmes së saj”.

“Zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj. Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës serbe në Bosnjë-Hercegovinë (BH); Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që ta ofrojë vizionin e saj për këtë Asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve”, thuhet në kolumne.

Lidhur me qëndrimin e dy zyrtarëve amerikanë nuk kanë pranuar të deklarohen nga Qeveria e Kosovës.

Shefja e Grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, e Vetëvendosjes, ka thënë se e shohin të domosdoshme diskutimin e të drejtave të komuniteteve në bazë të Kushtetutës e ligjeve në fuqi.

Duke folur për diskutimin që pritet të mbahet nga Ambasada amerikane lidhur me Asociacionin, ajo tha se vendimmarrja për themelimin e tij u takon institucioneve të Kosovës.

“Asgjë nuk mund të bëhet nga dikush tjetër. Në Kosovë janë organet vendimmarrëse… Nuk ka formë ose mekanizëm tjetër që dikush jashtë këtyre institucioneve mund të themelojë ose të krijojë. Këto janë nisma të shoqërive civile dhe natyrisht edhe të organizatave joqeveritare”, ka thënë Kusari-Lila.

Abelard Tahiri nga PDK-ja përgjegjësinë për kërkesat e ndërkombëtarëve ia hedh kryeministrit Albin Kurti.

“Këtyre çështjeve duhet t’u jap drejtim Qeveria e Republikës së Kosovës. As nuk duhet të neglizhohen, por duhet të kemi qëndrime të qarta të Qeverisë karshi kërkesave dhe karshi obligimeve të Republikës së Kosovës që ngrihen qoftë nga Ambasada e SHBA-së, qoftë nga BE-ja si fasilitues të dialogut”, është shprehur Tahiri.

Qëndrimin e SHBA-së nuk e kanë komentuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, derisa nga AAK-ja është deklaruar kryetari i saj, Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se obligimi i marrë duhet të zbatohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Prandaj të gjithë ata që Asociacionin e paraqesin si çështje problematike nuk e kanë hallin tek Asociacioni, por duan që atë ta përdorin si “mbulesë” për ta kundërshtuar marrëveshjen e madhe. Këtë po e bën Serbia e fatkeqësisht po e bën edhe kryeministri i Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jetë temë diskutimi të martën në një tryezë që është organizuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë.

Në të pritet të marrin pjesë zyrtarë qeveritarë, udhëheqës të shoqërisë civile, liderë partish e diplomatë.