Arbëri

Komunat kërkojnë që të pezullohet vendimi për rivlerësimin e pronave

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) kërkon nga Ministria e Financave, Transfereve dhe Punës (MFTP) që vendimi për rivlerësimin e pronave të pezullohet dhe që qytetarët e Republikës së Kosovës të paguajnë vlerën e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023 ashtu siç e kanë paguar në vitin 2022.

Përmes një komunikate për media të shtunën, Bordi i AKK-së thotë se nuk është PRO rritjes së tatimit në pronë.

Sipas komunikatës, komunat nuk kanë pas rol në rivlerësimin e pronave e as në ngritjen e faturave për tatimin në pronë për qytetarët e Kosovës.

“Arsyet që shtyjnë Bordin e AKK-së për ta shtruar kërkesën për pezullimin e vendimit për ri-vlerësimin e pronave dhe përse janë kundër çdo ngritje të vlerës së tatimit në pronë janë të shumta si në vijim: 1. Rrethana të vështira ekonomike për qytetarin e Republikës së Kosovës, 2. Shkalla e inflacionit është dy-shifrore, 3. Shtrenjtime të çmimeve të produkteve bazë dhe produkteve të tjera, 4. Niveli i pagave i pandryshuar për vite të tëra, 5. Ndikim i drejpërdrejtë në rëndimin/varfërimin e shportës për qyetarin, 6. Ri-vlerësimi i pronave nga MFTP ka ndikuar që faturat e tatimit në pronë të kenë një kosto shumë të lartë, 7. Rritja e lartë e faturës për tatim në pronë në rrethana të rënduara ekonomike do e vështirësojë inkasimin e të hyrave nga tatimi në pronë”, thuhet në komunikatë.

Bordi i AKK-së ka deklaruar që Komunat e Kosovës nuk mund të falin tatimin në pronë sepse kjo nuk është kompetencë e komunave.

“Kërkojmë nga MFTP të krijojë infrastrukturë ligjore ku do ua mundësojë komunave faljen e tatimit në pronë bazuar në vendime të Kuvendit të Komunës. Për fund, Bordi i AKK-së kërkon që sa më shpejtë të procedohet Projekt-Ligji i ri për tatimin në pronë për miratim në Qeveri të Republikës së Kosovës dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.