Arbëri

Gashi: Vlerësimi i pronave duhet t’u kthehet komunave

Ali Gashi, ish-udhëheqës i Departamentit për tatimin në pronë në Ministrinë e Financave, ka thënë se vlerësimi i pronave duhet t’u kthehet komunave, që të kemi, sipas tij, një vlerësim më real.

Pagesa e tatimit në pronë ka nxitur reagime ditëve të fundit në Kosovë. Ministria e Financave dhe komunat fillimisht ia lanë fajin njëra-tjetrës për rritjen e ndjeshme të faturave të pagesës. Megjithatë, të premten, ministri Murati ka thënë se faturat e tatimit në pronë u rritën pasi tokat filluan të tatohen 100 për qind.

Gashi ka thënë se vlerësimi i pronave ishte kompetencë e komunave deri në vitin 2018 kur u miratua ligji i ri për tatimin në pronë.

“Vlerësimi i pronave duhet t’i kthehet komunave. Do të jetë më reale. Komunat ishin edhe më herët kompetente për vlerësimin e pronave, por me ligjin e vitit 2018, kjo kompetencë iu bart Ministrisë së Financave”, ka thënë Gashi në “038” të KTV-së.

Njohësi i tatimit në pronë ka thënë se Ministria e Financave e ka të pamundur ta bëjë vlerësimin e të gjithë pronave në Kosovë.

Kritika pati edhe për komunat që thotë se nuk e kanë freskuar databazën qe një kohë të gjatë.

“Ka vite të tëra që nuk janë siguruar të dhënat. Më parë këto të dhëna i kemi siguruar nga gjykatat. Do duhej të kishte bashkëpunim më të mirë me noterët, kadastrën, gjeodezinë dhe që të gjitha kontratat e shitblerjes të barten te zyrat e përhershme të tatimit në pronë”, ka shtuar Gashi.

Gashi e ka pranuar se në rritjen e faturave të tatimit në pronë, ka ndikuar edhe tatimi në tokë. Por shton se ka pasur edhe fatura mbivlerësuese.

Lëvizja Vetëvendosje në shumicën e komunave ka nisur një iniciativë për faljen deri në 100 euro të tatimit në pronë për qytetarët. Këtë ide fillimisht e dha ministri Murati.