Arbëri

Refuzohet ankesa e Qeverisë, mbetet i pezulluar vendimi për ulje pagash në drejtësi

Gjykata e Apelit të Kosovës ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për pezullimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë. Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjykata e Apelit më 20 janar të këtij viti ka vendosur që ankesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës të refuzohet si e pabazuar.

“Refuzohet si e pa bazuar ankesa e të paditurës Qeveria e Republikës së Kosovës me seli në Prishtinë, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, A.nr….., i datës 02.12.2022, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative me 2 dhjetor 2022 kishte vendosur për pezullimin e vendimit të Qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ndaj vendimit të Qeverisë për ulje të pagave në sistemin e drejtësisë kishte reaguar edhe shoqëria civile, duke e quajtur uljen e pagave në sistemin e drejtësisë, ndërhyrje në drejtësi dhe rritje të potencialit korruptiv./BetimipërDrejtësi