Arbëri

KPMSHC-ja refuzoi ankesat e punëtorëve të AKP-së, pagat u ulen nga ky muaj

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil (KPMSHC) ka refuzuar ankesat e punëtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), kundër Rregullores së pagave të miratuar nga Bordi i Drejtoreve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në tetor të vitit 2021.

Ky vendim është marrë në dhjetorin e vitit të kaluar dhe deri në këtë kohë, Rregullorja ka qenë e pezulluar me një vendim të Bordit të AKP-së të marsit të vitit 2022, kur 150 ankesa të punëtorëve të AKP-së ishin duke u shqyrtuar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Pas vendimit të KPMSHC-së, Bordi i AKP-së në dhjetor të vitit të kaluar nxorri vendim për implementim të Rregullores nga janari i këtij viti.

“Më datë 20 Dhjetor 2022 dhe 22 Dhjetor 2022 AKP ka pranuar nga KPMSHC 12 vendime lidhur me tetëdhjetë e një (81) nga 150 ankuesit lidhur me ankesën ndaj vendimit për zbritje të pagave nga Bordi i Drejtorëve, respektivisht me anë të këtyre vendimeve të Këshillit refuzohen ankesa e punonjësve dhe mbetet në fuqi vendimi i Bordit BD-153-9 i datës 29.10.2021 për aprovim të Rregullores se re për pagat në AKP. Më datë 23.12.2022 Bordi i Drejtorëve të AKP-së nxjerr vendim për implementim të Rregullores për pagat (me zbritje) duke filluar nga data 01 Janar 2023”, thuhet në një përgjigje të AKP-së për KOHËN.

Por, sipas përgjigjes së tyre, AKP-ja ka qenë e obliguar që deri në përfundimin e shqyrtimit të ankesave në KPMSHC, të mbulojë çekun e pagave të stafit të AKP-së, për muajin nëntor në vlerë prej euro 382 mijë e 573 dhe për muajin dhjetor në vlerë prej 385 mijë e 905 euro.

AKP-ja ka mohuar akuzat e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, se ministri i Financave, Hekuran Murati, ndau “heshturazi” mbi 757 mijë euro për pagat në AKP.

“Si rezultat i lojërave propagandistike, për dy muajt e fundit, heshturazi, AKP-ja dhe Hekuran Murati ishin dakorduar që ky i fundit të ndajë edhe 757.802 euro, për të mbuluar vendimin e kontestuar për zvogëlimin e pagave të punëtorëve i nxjerrë nga Bordi i AKP-së”, ka shkruar Shala të mërkurën në Facebook.

Sipas përgjigjeve të AKP-së, Departamenti i Financave në këtë institucion, siç thuhet, për të mos ngecur me realizimin e pagave të stafit deri në fund të vitit fiskal 2022, përmes tri letrave zyrtare (më datën 14 prill, 26 korrik dhe 8 nëntor 2022 dhe e-mail zyrtarëve) ka kërkuar aprovimin e buxhetit shtesë në kategorinë e pagave në shumë prej 757 mijë e 802 eurove.

“Andaj në përputhje me të lartcekurat, AKP konfirmon se nuk ka pasur kurrfarë takimi të fshehur në mes të AKP-së dhe Ministrit të Financave. Gjithashtu, AKP konfirmon që rialokimi i këtyre mjeteve është bërë në mënyrë tërësisht ligjore”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

E gjithë kjo thuhet se është bërë në përputhje me nenin 15.4 të Ligjit të Buxhetit për vitin 2022.

“Kur organizata buxhetore (OB) ka nën shpenzim krahasuar me planin e rrjedhës së parasë së gatshme të dorëzuar në Thesar, ministri mundet gjatë tre (3) mujorit të fundit të vitit financiar me aprovimin paraprak nga Qeveria, pas pranimit të një arsyetimi të vlefshëm nga OB-ja kërkuese, të autorizojë shkurtimin e ndarjes buxhetore për të gjitha kategoritë e shpenzimeve të asaj OB-je, duke përjashtuar të hyrat vetjake, të hyrat e dedikuara dhe huamarrjet, të transferojë atë brenda po të njëjtës OB apo të transferojë atë ndarje tek një OB tjetër, duke përjashtuar të gjithë paragrafët dhe nenet të cilat kufizojnë transferet buxhetore. Këto mjete nuk mund të transferohen për projekte të reja kapitale. Vlera kumulative e të gjitha këtyre transferove nuk duhet të tejkalojë pesë 5% të vlerës totale të të gjitha ndarjeve buxhetore duke përjashtuar të gjitha ndryshimet e ndarjeve buxhetore të ndodhura deri më 30 shtator të vitit fiskal. Në tremujorin e fundit të vitit fiskal Thesari autorizohet të bëjë harmonizimet e nevojshme në kategorinë ‘Paga dhe Shtesa’ në kuadër të OB-ve”, thuhet në këtë nen.

Pas uljes së pagave nga ana e Bordit në tetor të vitit 2021, rreth 150 nëpunës të AKP-së në muajin dhjetor 2021 kanë deponuar ankesë pranë KPMSHC-së duke kërkuar nga ky institucion që ankesa e tyre të aprovohet si e bazuar në ligj.

Po në këtë muaj disa zyrtarë të AKP-së ishin ankuar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Dhoma e Posaçme, në shkurt të vitit 2022, ka refuzuar ankesën e tyre dhe ka lënë në fuqi vendimin e Bordit për zbritjen e pagave.

Ndaj këtij vendimi, nëpunësit kanë parashtruar ankesë pranë Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme me datë 15 shkurt 2022.

Derisa lënda ka qenë duke u shqyrtuar në Supreme, KPMSHC-ja në shkurt të vitit 2022 ka pezulluar çështjen e trajtimit të 150 ankesave të punëtorëve.

“Në pajtim me këtë në kuptim të dispozitës ligjore të nenit 130 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, në mbledhjen e datës 30 mars 2022 Bordi i Drejtorëve te AKP ka nxjerr pikë veprimi me anë të cilit e ka pezulluar zbatimin e rregullores se pagave me zbritje derisa çështja të trajtohet përfundimisht nga organet vendimmarrëse përkitazi me ankesën e nëpunësve të Agjencisë”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Kolegji i Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës si instancë përfundimtare, në gusht të vitit 2022 ka hedhur poshtë kërkesën si të papranueshme dhe ka shpallur veten jokompetent për trajtimin e kësaj lënde.

“AKP me datë 11 gusht 2022 ka njoftuar KPMSHC që çështja e ankesave të nëpunësve të Agjencisë pranë Dhomës së Posaçme është trajtuar përfundimisht nga kjo gjykatë ku e njëjta ka shpallur veten jo kompetente, dhe se ishin plotësuar të gjitha kushtet ligjore që KPMSHC të vazhdoj t’i trajtojë ankesat e nëpunësve të Agjencisë”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Pas kësaj, KPMSHC-ja pas shqyrtimit i ka hedhur poshtë ankesat e punëtorëve të AKP-së.