Arbëri

Shala akuzon Muratin se ndau “heshturazi” mbi 757 mijë euro për pagat në AKP

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka akuzuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, që me një vendim të veçantë ka ndarë mbi 757 mijë euro për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Sipas tij këto mjete janë ndarë “për të mbuluar vendimin e kontestuar për zvogëlimin e pagave të punëtorëve të nxjerrë nga Bordi i AKP-së”

Sipas tij gjatë gjithë vitit 2022 në AKP janë realizuar pagat e njëjta dhe se ato nuk janë ulur sipas vendimit të Bordit të AKP-së.

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në shtator të vitit 2021 kishte vendosur që për ulje të pagave për 30 për qind dhe për eliminim të tërësishëm të pagesave për takime për anëtarët e këtij bordi.

“Ministri Hekuran Murati me vendim të veçantë i ndanë AKP-së 757.802 euro për paga dhe meditje, për muajt nëntor-dhjetor 2022. Në vitin kur të gjithë ne prisnim shuarjen e AKP-së, Qeveria dhe bordi i AKP-së kishin nxjerrë rregullore të re dhe kishin miratuar vendimin për uljen e pagave. E vërteta del që AKP gjatë tërë vitit 2022 kanë realizuar pagat e njëjta, pa i zbritur ato fare”, ka shkuar Shala në Facebook.

Sipas tij për këtë kishe një dakordim të heshtur në mes të AKP-së dhe Muratit.

“Si rezultat i lojërave propagandistike, për dy muajt e fundit, heshturazi, AKP-ja dhe Hekuran Murati ishin dakorduar që ky i fundit të ndajë edhe 757.802 euro, për të mbuluar vendimin e kontestuar për zvogëlimin e pagave të punëtorëve i nxjerrë nga Bordi i AKP-së. Bordi i AKP-së po vazhdon shitjen e aseteve nacionale, me të njëjtën metodologji, me të njëjtën praktikë, pa ndryshuar asgjë nga praktikat e kaluara”, ka shkruar Shala.

Për këto akuza KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave dhe në AKP, dhe posa të marr një përgjigje do ta plotësojë tekstin.