Arbëri

MSH-ja bën thirrje të vlohet uji para pirjes

Ministria e Shëndetësisë ka ftuar qytetarët që të vlojnë ujin para përdorimit, si masë e sigurisë bakteriologjike, e zbatueshme në situata me turbullurë të shtuar.

MSH-ja tha të hënën se si pasojë e vërshimeve në pjesën më të madhe të vendit, situata me ujë është vështirësuar dukshëm, me ç’rast është ngritur niveli i gatishmërisë.

Nga rajoni i Prishtinës, fabrika Shkabaj mbetet jashtë funksionit, ndërsa fabrika në Drenas ka startuar të dielën me trajtimin e ujit me kapacitet të zvogëluar.

“Për shkak të uljes së kapacitetit prodhues janë duke u zbatuar restriksione në tërë zonat e shërbimit të KRU-Prishtina. Rajoni Mitrovicë: Fabrikat në Shipol- Mitrovicë dhe në Balicë- Vushtrrisë janë në funksion të plotë me trajtimin e ujit. Për shkak të vërshimeve uji i puseve nuk është i sigurt dhe duhet patjetër të vlohet para përdorimit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ujë i turbullt është regjistruar edhe në burimet Burimi dhe Drini i Bardhë në rajonin e Pejës, me ç’rast është bërë thirrje që uji të mos konsumohet i pa vluar.

Ndërsa për shkak të vërshimeve dhe prurjeve në burime, është ndërprerë furnizimi me ujë nga burimi Jarinë - Klinë dhe tani furnizimi bëhet vetëm nga fabrika e ujit në Klinë.

“Burimi i Istogut paraqitet akoma me turbullirë, nuk rekomandohet për pije dhe para përdorimit duhet të vlohet. Në zonat e furnizimit nga KRU ‘Gjakova’ gjendja e cilësisë së ujit të pijes është e qetë, pos sistemi i Gërqinës, i cila akoma turbullirë të shtuar, andaj uji nuk rekomandohet për pije dhe para përdorimit duhet të vlohet. Të gjitha mostrat e analizuara janë brenda standardeve të parapara për ujin e pijshëm”, njoftoi MSH-ja.

Brenda standardeve është uji i pijshëm në fabrikën në Pleshinë të Ferizajt, ndërsa, në Kaçanik, Han të Elezit dhe në Shtërpcë, mostrat nuk përmbushin standardin.

“KRU ‘Hidromorava’- Rajoni Gjilan: Të gjitha mostrat e ujit të cilat janë marrë në Gjilan janë brenda standardeve për ujin e pijes”.