Arbëri

Nxit pakënaqësi në komuna mbështetja buxhetore e projekteve të reja

Sipas një analize të Institutit GAP, nga 51.2 milionë euro investime kapitale të reja të nivelit qendror këtë vit, 22 milionë euro janë destinuar për projekte specifike në komuna dhe 52 për qind e kësaj shume do të orientohet te katër komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje. Kjo nxiti pakënaqësi në një numër komunash, që udhëhiqen nga partitë opozitare

Ndarja buxhetore për vitin e ardhshëm, me të cilën do të mbështeten projektet e reja në nivelin lokal, ka nxitur reagime në disa komuna.

Sipas një analize të Institutit GAP, nga 51.2 milionë euro investime kapitale të reja të nivelit qendror këtë vit, 22 milionë euro janë destinuar për projekte specifike në komuna dhe 52 për qind e kësaj shume do të orientohet te katër komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Rashit Qalaj, deputet nga radhët e Partisë Demokratike (PDK), thotë se Qeveria ka bërë diskriminim të komunave nëpërmjet buxhetit. Këtë akuzë e mbështet nëpërmjet shembullit të Shtimes që drejtohet nga Vetëvendosja dhe Lipjanit nga Lidhja Demokratike (LDK).

“Krahasimi i një buxheti mbi 20 milionë për Komunën e Shtimes dhe 2 milionë e 900 mijë euro për Komunën e Lipjanit është i pakrahasueshëm, sepse edhe për nga numri i banorëve Lipjani ka dy herë më shumë se Komuna e Shtimes”, ka thënë deputeti Qalaj. “Po ashtu, nevojat janë këto që i thashë më herët, andaj është e papranueshme që buxheti të ndahet në bazë të partive se kush i udhëheq ato”.

Edhe në Komunën e Ferizajt janë ankuar për diskriminim.

Zëdhënësi Selim Marevci thotë se bizneset e Komunës janë prej kontribuuesve më të mëdhenj në buxhetin e shtetit, e Qeveria ka paraparë investime të reja në shumën sa ka paraparë edhe për Shtimen.

“Komuna e Shtimes të krahasohet me Komunën e Ferizajt – nuk po dua ta nënvlerësoj, sepse tekefundit përfitojnë qytetarët e atij lokaliteti – mirëpo të krahasohet me Komunën e Ferizajt me mbi 110 mijë banorë dhe shto faktin tjetër që bizneset e Ferizajt kontribuojnë direkt në buxhetin e konsoliduar të Republikës së Kosovës me mbi 600 milionë dhe mos t’iu kthehet në investime kapitale, kjo është nënçmim jo vetëm për qeverisjen lokale të Ferizajt, por është nënçmim për të gjithë qytetarët e Komunës së Ferizajt”, ka thënë zëdhënësi Marevci.

Në Zyrën e kryeministrit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me ndarjet buxhetore për vitin e ardhshëm.

Kuvendi miratoi buxhetin e 2023-tës dhe vetëm disa amendamente janë përfshirë në lexim të dytë.