Arbëri

Kushtet ekonomike, ndër faktorët kryesorë të rritjes së numrit të shkurorëzimeve

Gjakova ka qenë njëra ndër qytetet me numrin më të madh të shkurorëzimeve gjatë vitit 2016. Gjykata Themelore në këtë komunë, është ajo e cila ka pranuar më së shumti kërkesa për shkurorëzime. Ky institucion shqyrtoi 113 raste shkurorëzimi në vitin që lamë pas.

Sipas një raporti të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, këto çifte janë ndarë kryesisht pas martesës njëvjeçare, derisa mosha që mbizotëron në këto shkurorëzime është 25 deri 29 vjeç, raporton KTV.

Shumica e të shkurorëzuarve kanë vetëm shkollën e mesme të përfunduar. 65 për qind e të shkurorëzuarve nuk kanë fëmijë.

Psikologu, Besnik Peci, shkaktarin kryesor që i solli këto çifte deri tek dera e gjykatës e sheh tek ekonomia e dobët familjare.

Ai vlerëson, se çiftet po shkurorëzohen në Kosovë për t’ia mundësuar vetes një martesë jashtë vendi, që do t’u sillte rehati financiare.

Ndërkohë, ndarja shkakton probleme psikike tek dy partnerët, duke krijuar kështu depresion e stres për një kohë të gjatë.

Në prishjen e martesës ndikojnë edhe shumë faktorë. Një nga ta shihet edhe vetëdijesimi i gruas për të drejtat që zotëron.

Madje, ndryshimi i mentalitetit të shoqërisë për sociologen Dhurata Prokshi, është një ndër shkaqet kryesore që i shtyn çiftet t’i nënshkruajnë dokumentet e shkurorëzimit.

Sipas Prokshit, mendimi që një martesë mund të shërbejë si çelës i përmirësimit të marrëdhënieve mes çiftit po rezulton fatal për bashkëshortët.

Statistikat kanë treguar shumë ndryshime në konceptin e familjeve kosovare në dhjetëvjetëshin e fundit. Nga to mund të përmenden: planifikimi familjar që rezulton me zvogëlim nataliteti, jeta e çifteve në mënyrë të pavarur larg prindërve apo edhe bashkëjetesa e çifteve para martesës.