Arbëri

Dallavere me kamionë

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetime ndaj 12 zyrtarëve të ndërmarrjes publike “Pastrimi” nën dyshimin për keqpërdorimin e pozitës zyrtare. Sipas pretendimeve të organit të akuzës, ata dyshohet se gjatë vitit 2021 kanë bërë dallavere gjatë procesit të blerjes së kamionëve të rinj

Tenderi për blerjen e 14 kamionëve të rinj nga kompania “Pastrimi” në vitin 2021 dyshohet se është keqpërdorur nga 12 zyrtarë të kësaj ndërmarrjeje.

KOHA ka siguruar dokumentin ku tregohet se Prokuroria Themelore e Prishtinës, më 18 nëntor të vitit të shkuar, ka nisur hetimet mbi kontratën “Furnizimi me kamionë të përdorur për nevoja të KRM ‘Pastrimi’”.

Ish-kryeshefi ekzekutiv, Burim Kelmendi, asamblisti i LDK-së, Dasmor Durmishi, dhe disa zyrtarë të tjerë të kompanisë “Pastrimi” si: Riza Selimi, Dasmor Durmishi, Bekim Pajaziti, Petrit Gjikokaj, Xhelal Krasniqi, Ardian Krasniqi, Shpend Qosa, Valon Gashi, Rrahim Bislimi dhe Misin Berisha, janë në listën e kësaj prokurorie si të dyshuar se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare gjatë këtij procesi prokurimi. Ndërsa, Bujar Morina dyshohet për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”.

Sipas dokumentit, Prokuroria ka kërkuar që për secilin kamion të bëhet hetim pasi, ndër të tjera, dyshohet se nuk janë blerë kamionë të rinj, por vetëm janë bërë ndërrimet e librezave me ato të kamionëve të vjetër. Është duke u hetuar edhe për mënyrën e regjistrimit të tyre.

Nisjen e këtyre hetimeve e ka konfirmuar Prokuroria Themelore e Prishtinës duke thënë se prokurori i shtetit është në fazën e grumbullimit të informacioneve.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke ndërmarrë veprime ndaj dymbëdhjetë (12) personave lidhur me një procedurë të prokurimit në këtë ndërmarrje. Pra, rasti është në fazë të grumbullimit të informacioneve”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Ndërsa në kompaninë “Pastrimi” kanë deklaruar se nuk mund të kenë një përgjigje zyrtare përderisa nuk ka një vendim të tillë.

“Kompania ‘Pastrimi’, SH.A. Prishtinë, ju njofton se rasti është duke u hetuar dhe pa një vendim zyrtar nuk mund të kemi një përgjigje zyrtare”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.

KOHA ka kontaktuar përmes telefonit edhe asamblistin Dasmor Durmishi, i cili ka thënë se emri i tij është gabimisht në këtë listë dhe se për këtë posedon dëshmi, të cilën nuk e dërgoi ndonëse e premtoi.

Kamionët e vjetër kanë qenë problemi më i madh i kompanisë “Pastrimi” në vitin e kaluar, duke shkaktuar vonesa në mbledhje të mbeturinave e kaos në kryeqytet.

Burim Kelmendi është shkarkuar nga pozita e kryeshefit ekzekutiv në verë të vitit të kaluar, ndërsa zyrtarët e tjerë që po hetohen vazhdojnë të ushtrojnë pozitën e tyre në këtë kompani, deri në një vendim të mëtutjeshëm.