Arbëri

Debati në distancë mes Molliqajt e Stavilecit

Një debat në distancë mes dy akterëve politikë, njëri nga Vetëvendosje e tjetri nga PDK, po vazhdon që nga mbrëmë.

Dardan Molliqaj, deputet i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe Blerand Stavileci, ministër në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, po thumbojnë njëri-tjetrin për të bëmat e partive të tyre relevante përmes faqeve të tyre në Facebook.

Pasi mbrëmë Molliqaj tha se për kreun e PDK-së, Kadri Veseli, “nuk ka vend në institucionet e shtetit tonë”, Stavileci iu kundërpërgjigj duke e quajtur deputetin Molliqaj “terrorist” e “kriminel”.

“Sot, në Kuvendin e Kosovës, fatkeqësisht, kemi deputetë që po gjykohen për sulme terroriste me raketahedhës mbi të. Kemi edhe skizofren, si kryebanditi Mollotoviqaj, që u kanë prirë bandave kriminale në shkatërrimin dhe djegien e institucionit, ku prej tash e tutje do marrin edhe paga”, shkroi mbrëmë Stavileci në faqen e tij në Facebook.

Sipas ministrit në detyrë të MZHE-së, “është e kuptueshme që [Molliqaj] nuk e di çfarë është kultura institucionale, sepse tërë kohën ka vepruar me mentalitet antiinstitucional dhe përdhunues. Nuk e di as çfarë janë burrështetasit, sepse vetë është thjesht një fiqfiriq politik. Si duket, neuropsikiatrit e Partisë Vetëvendosje, tash po merren me kthinat neurologjike të rrugëve të Prishtinës dhe të kanë lënë pas dore”.

“Nuk e di sa po e vëren, por për shkak të skizofrenisë ia ka nis me të leçit edhe partia. E Shtimja po të pret me padurim, po qan për ty!”, ka përfunduar mbrëmë statusin e tij Stavileci, raporton Koha.net.

Por, gjatë ditës së sotme, Stavilecit i ka kthyer përgjigje sërish Molliqaj, duke ia numëruar “të bëmat” e shefit të tij të partisë, Kadri Veseli, të cilin Stavileci e quajti burrështetas.

  • Kadri Veseli ishte shef i orgnizatës më të madhe kriminale në Kosovë, SHIK-ut. Qindra vrasje politike, haraçe, kërcënime, punësime, largime nga puna, etj. Të gjitha me urdhërin dhe nën vëzhgimin e tij;
  • Jemi vendi më i izoluar në Evropë, falë të bëmave të shefit tënd dhe bandës së tij kriminale, në të cilën bënë pjesë edhe ti;
  • Jemi vendi më i varfër në Evropë si pasojë e shkatërrimit të ekonomisë. I keni shkatërruar të gjitha ndërmarrjet publike dhe shoqërore, pastaj i keni falur. Fabrikat i keni kthyer në restorane dasmash, e tokat bujqësore në parcela ndërtimi;
  • Qindra mijëra shqiptarë e lëshuan Kosovën nën qeverisjen tuaj. Shefi yt ua mbyti shpresat atyre për një ditë më të mirë;
  • Serbia ka ndikim më të madh në vendimmarrje në Kosovë sesa mbi 50% e deputetëve shqiptarë, sepse shefi yt bashkëpunon ngusht me ta dhe përkujdeset me ua plotësu dëshirat;
  • E ndau Mitrovicën në dysh, dhe sot e asaj dite nuk kemi kontroll mbi pjesën veriore të cilën e kontrollon Serbia. Por kjo ju konvenon juve sepse bëni biznese me Veselinoviqat;
  • Duke kapur sistemin e drejtësisë, persekutoi opozitën dhe arrestoi aktivistë të rinj të pafajshëm. Astrit Dehari humbi jetën në burg. Anipse nuk ka asnjë provë të vetme për ta, shefi yt përkujdeset që ata të vazhdojnë të mbahen në burg për një vit rresht;
  • Jemi një ndër shtetet me cilësinë më të ulët të edukimit në botë (shih rezultatin e PISA), falë shkatërrimit të sistemit të arsimit që shefi juaj përmes piunëve të tij e ka bërë dukë punësuar dajë, teze e kunata nëpër shkolla pa kualifikime;
  • Nga pozita e kryetarit të Kuvendit, disa herë ofendoi gratë deputete me gjuhën e tij seksiste;
  • Tash së fundi, “burrështetasi” yt po e lë peng gjithë Kosovën duke bllokuar institucionet e vendit.

“Ka shumë e shumë të tjera saqë lista bëhet shumë e gjatë me ua numëru të gjitha, por besoj që këto të ndihmojnë mjaftueshëm me e kuptu sa “burrështetas” e ki shefin”, ka shkruar më tej Molliqaj në statusin e tij në Facebook.

Në fund, ai kërkoi nga Stavileci që të koordinohet me anëtaren tjetër të PDK-së, Arbana Xharra, sepse, siç tha ai, “Arbana tha që e kam marrë partinë n'dorë, e ti po thu që partia po m'përjashton”.

“Koordinohuni pak kur shpifni se u bonët horë”, ka përfunduar ai.

Nuk vonoi shumë se Stavileci sërish i ktheu përgjigje Molliqajt, të cilin ai vazhdimisht e quan “Mollotoviq”.

Stavileci i tha Molliqajt se “vrasësit i keni brenda llojit tuaj”, duke theksuar se “dihet botërisht truprojës së kujt i janë gjetur armë me të cilat janë kryer vrasje pas luftës”.

“Këtë e dinë edhe prokuroria, por në rrethana të çuditshme në komunikacion edhe ky truproja pastaj e humbi jetën. Ndërsa, ty nuk do ishte keq të të ftonte prokuroria për t‘iu treguar kush tjetër paska bërë vrasje... Por, si kriminel që je, ti din veç me leh dhe me i shti të tjerët, ashtu siç i keni detyruar bashkëpartiakët, jo vetëm të organizojnë atentate terroriste, por edhe t’ia marrin vetes jetën. Ky është kursi i juaj, doktrina kurtoviçiane”, ka thënë Stavileci.

Më tej, ministri në detyrë i MZHE-së, Blerand Stavileci, i thotë Molliqajt se “kështu jeni ju: me gjak dhe mbi gjak synoni të merrni pushtetin” dhe se “ky është fondamenti i doktrinës kurtoviçiane”.

  • Tutje, ai ia numëroi disa pretendime për të cilat akuzohet Molliqaj:
  • Ti si kriminel ordiner dyshohesh edhe si përgjegjës për organizimin e sulmit me zollë mbi Kuvendin e Kosovës!
  • Ti si kriminel ordiner dyshohesh edhe si përgjegjës për organizimin e vënies së bombës në RTK dhe për atentatin ndaj familjes së drejtorit të RTK-së!
  • Ti si kriminel ordiner dyshohesh si përgjegjës edhe për shpëlarje të parave të korrupsionit dhe shitjes së lejeve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës!
  • Ti je haraçaxhi, që i ke çuar drejt falimentimit me shantazhe shumë biznesmenë, që edhe mercenarët e tu për të djegur e shkatërruar në protestat e dhunshme i ke detyruar t’i paguajnë.

“Jemi vendi më i izoluar pikërisht për shkak të veprimeve tuaja terroriste dhe manipulimit me kauza të rrejshme. Ju jeni ata që i keni privatizuar edhe fabrikat e tokat bujqësore. Bashkëpartiakë të tu janë ata, të njohur për mbarë opinionin. Ju, shokët e Veselinoviqëve i keni edhe në Vetëvendosje dhe i keni kandiduar madje edhe në Mitrovicë. Ish kandidati juaj, i cili deri pas luftës as shqip nuk ka folur, është mik shtëpie i tij. Edhe sistemin e drejtësisë ju e keni kapur. Ti, kriminel, që shënjestron me emra e mbiemra prokurorë e gjyqtarë. Mbetjet e ish regjimit serb, nënat dhe baballarët tuaj, u patën sistemuar si kuadro menjëherë pas luftës nga UNMIK-u, sepse patriotët përndiqeshin dhe nuk kishin sesi të shkolloheshin asokohe. Sikur mos ta kishit kapur, tash ti do ishe duke reflektuar për krimet e juaja brenda në burg! Natyrisht, ti, kriminel, njëherë në spital e pastaj në burg”, ka theksuar Stavileci në statusin e tij.

E ndaj gjithë këtyre akuzave, Molliqaj nuk u zgjat shumë.

“Blerand Stavileci: Blla blla blla”, shkroi ai në faqen e tij, koment të cilit ia bashkëngjiti edhe një fytyrë duke qeshur me lot.