Arbëri

Islami: Në shtëpinë e bacës Tush morën forcë burra të ngritur si Adem e Hamzë Jashari

Descriptive Text

Mijëra qytetarë janë mbledhur sot në fshatin Gllanasellë të Drenasit për t’i dhënë lamtumirën e fundit Muhamet Lladrovcit, babait të heroit të kombit Fehmi Lladrovci.

Muhamet Lladrovci, i njohur edhe si Baca Tush, ka ndërruar jetë mbrëmë pas një sëmundjeje të rëndë.

Baca Tush është varrosur me ceremoni ushtarake nga trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës ndërsa në varrimin e tij kanë marrë pjesë figura të larta politike jo vetëm ë Kosovës por edhe të Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Në varrim ka marr pjesë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, kryetari i Bashkimit Demokratik, Ali Ahmeti si dhe bashkëluftëtarë të Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, familjarë të dëshmorëve si dhe veprimtarë të çështjes kombëtare.

Gjatë ceremonisë së varrimit një fjalë rasti ka mbajtur ish-kryetari i Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe bashkëveprimtar i Fehmiut dhe Xhevës, Bedri Islami, i cili tha se Muhamet Lladrovci ishte njeri i shquar për atdhedashuri, i cili tërë jetën e tij ia dedikoi Kosovës dhe lirisë së saj.

Islami tha se tha se në shtëpinë e bacës Tush në Gllanaselllë gjetën strehë dhe morën forcë burra të ngritur si heronjtë Adem e Hamzë Jashari, Sylejman Selimi, Shaban Shala, Ilaz Kodra dhe figura të shquara të kombit.

“Po i japim lamtumirën e fundit Bacës Tush Lladrovci, burrit të fjalës së ndershme, të bisedës së urtë, të mikpritjes të madhe dhe zemrës së hapur. Gjithë jeta e bacës Tush, e vëllezërve të tij, e bijve të tij, ka qenë luftë. Luftë kundër pushtuesit serb dhe veglave tij që e shpallin armik të deklasuar, luftë për mbijetesë pa i shtrirë dorën askujt, dhe së fundi luftë të madhe për Kosovën. Baca Tush nuk kurseu asgjë dhe nuk u përkul asnjëherë, as kur u vra në luftë biri i tij heroi i kombit Fehmi Lladrovci, e as kur u vra si bija e tij Xheva, heroina e kombit,” tha Islami, raporton KP.

Islami ka thënë se në shtator të këtij viti do të ngrihen përmendoret e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, si dhe përmendorja e Muhamet Lladrovcit.

Muhamet Lladrovci ishte babai i heroit të kombit Fehmi Lladrovci si dhe kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Ai u varros në varrezat e fshatit Gllanasellë aty ku prehet trupi i djalit të tij, heroit Fehmi Lladrovci bashkë me bashkëshorten Xhevën i cili në shtator të vitit 1998 ka rënë heroikisht në luftë me forcat serbe.